Një tjetër episod alarmant i zhvatjes sistematike nga kompania ajrore Wizz Air ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Aeroportin e Tiranës, ku një pasagjer është detyruar të paguajë trefish për bagazhin e tij, për shkak të një skeme të mirorganizuar grabitjeje që tashmë është kthyer në praktikë të përditshme.
Fluturimi i planifikuar për në orën 06:50 drejt Athinës nisi me një skandal: sporteli i dorëzimit të bagazheve ishte mbyllur që në orën 06:05, ndonëse rregullorja e Wizz Air parashikon që pranimi i valixheve duhet të vazhdojë deri 40 minuta para nisjes. Pasagjeri, që kishte kryer check-in online që një ditë më parë, u paraqit në orarin e duhur, por sportelistja i tha se bagazhet ishin “imbarkuar” dhe nuk mund t’i pranonin më. Ai u detyrua të kalonte kontrollin fizik me disa sende të palejuara në kabinë, të cilat iu konfiskuan ose hodhën në kosh.
Më pas, për të mundur të marrë me vete çantën e dorës që nuk e lejonin të kalonte në avion, iu kërkua të paguante 73 euro shtesë, një shumë tre herë më e lartë se tarifa e zakonshme e paguar më parë online për të njëjtin bagazh. Pagesa u bë në dorë, me një bllok fature që ngjan më shumë me faturino të linjës së autobusit sesa dokument zyrtar i një kompanie ajrore. I kërcënuar se do të humbiste avionin nëse nuk paguante, pasagjeri u detyrua të dorëzonte paratë, ndërsa punonjësit e bagazheve i morën çantën direkt para hyrjes në avion.
Punonjësit e kompanisë mbyllin qëllimisht sportelin para kohe, refuzojnë bagazhet e udhëtarëve, u konfiskojnë sende të nevojshme gjatë kontrollit, dhe më pas i detyrojnë të paguajnë shuma abuzive për t’i futur përsëri valixhet në avion. Një metodë grabitjeje që po përsëritet rregullisht, siç e konfirmojnë edhe punonjës të sigurisë në aeroport, të cilët i kanë pranuar klientëve se po marrin ankesa të shumta për këtë veprimtari.
Pasagjeri humbi sende personale, u detyrua të hapte bagazhin në kontrollin fizik dhe vetëm falë ndërhyrjes njerëzore të një punonjëseje sigurie, që kuptoi se kishte ushqim për një fëmijë të mitur, shpëtoi të paktën një pjesë të atyre që po i konfiskoheshin.
Wizz Air, që prej tre vitesh renditet si kompania më e keqe në botë nga “Who?”, për përvojën skandaloze të pasagjerëve, po bën kërdinë në Shqipëri, falë një shteti që nuk vepron dhe një Autoriteti të Aviacionit Civil që fle gjumë.







