Një 44 vjeçar shqiptar, i identifikuar si Françesk Shkambi, është vrarë me armë zjarri në Michigan të Shteteve të Bashkuara gjatë mbrëmjes së të dielës. Viktima rezulton të jetë kushëri i Elvis Shkambit, autorit që ekzekutoi gjyqtarin e Apelit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në Tiranë më 6 tetor.
Detajet e para të bëra publike nga mediat amerikane tregojnë se ngjarja ndodhi rreth orës 21 e 30 në verandën e restorantit Prime 7 në Commerce Township, ku Françesk Shkambi punonte si menaxher dhe bashkëpronar. Ai u gjet i plagosur rëndë dhe u transportua menjëherë në spital, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Rreth 20 minuta pas ngjarjes, një 65 vjeçar nga zona e Farmington Hills u paraqit vetë në polici dhe u arrestua pa kundërshtim. Autoritetet sekuestruan një armë zjarri 9 mm që dyshohet se u përdor gjatë vrasjes dhe që rezultonte e vjedhur.
Sipas dëshmive të grumbulluara deri tani, mes viktimës dhe autorit kishte patur përplasje të vazhdueshme, megjithëse motivi i saktë mbetet ende i paqartë. Hetuesit po verifikojnë edhe pistën e konflikteve të mëparshme, pasi viktima më herët kishte qenë i dënuar për konspiracion në posedim dhe shpërndarje të drogërave të paligjshme.
Françesk Shkambi ishte i njohur së fundmi edhe për nisjen e një fushate GoFundMe me synim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen ligjore të Elvis dhe Gjon Shkambit. Në prezantimin e nismës ai ishte paraqitur si familjar, ndërsa donacionet kishin kaluar shumën prej 8 mijë dollarësh.
Stafi dhe pronarët e restorantit e kanë pritur me tronditje lajmin, duke e përshkruar Shkambin si njeri të qetë dhe punëtor. Restoranti ku ai ushtronte aktivitetin ka njoftuar mbylljen e përkohshme pas ngjarjes.
Më shumë detaje mbi motivin dhe rrethanat e vrasjes pritet të bëhen publike gjatë procedurave gjyqësore në vijim.








