Një atentat i rëndë ka ndodhur sot në afërsi të aeroportit të Rinasit, ku është ekzekutuar me breshëri plumbash 47-vjeçari Gilmando Dani. Ngjarja ka ndodhur pak minuta pasi ai kishte mbërritur në Shqipëri nga Barcelona.
Sipas burimeve, Dani ishte pritur në aeroport nga Muçi Shaljani, i njohur me nofkën “Sheqeri”, 40 vjeç, i cili kishte për detyrë ta shoqëronte me automjet. Vetëm pak metra pasi u larguan nga aeroporti, autorët i zunë në pritë dhe hapën zjarr me armë automatike ndaj makinës së tyre. Si pasojë, Dani humbi jetën në vend, ndërsa Shaljani mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet aktualisht nën kujdesin e mjekëve në spital.
Policia ka rrethuar zonën dhe është vënë në ndjekje të autorëve, të cilët dyshohet se janë larguar në drejtim të Fushë-Krujës. Më pas është gjetur një automjet me targa greke i djegur në fshatin Halil, që dyshohet të jetë përdorur nga autorët e atentatit.
Hetimet e para po verifikojnë pistën e larjes së hesapeve mes grupeve rivale, pasi Gilmando Dani i kishte shpëtuar më parë një atentati në të njëjtën zonë ku u vra sot.
Ngjarja e mëparshme daton në 5 janar 2015, kur Dani udhëtonte me Emiliano Shullazin në një automjet tip “Golf” me targa AA 629 HR, pranë mbikalimit të Rinasit. Në atë kohë, një makinë tjetër në lëvizje kishte hapur zjarr me breshëri automatiku drejt tyre.
Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje, por nuk gjeti të plagosur. Vetëm pas disa orësh, spitali njoftoi për praninë e dy personave të plagosur, duke konfirmuar përpjekjen e dështuar për ekzekutim.
Autoritetet po hetojnë lidhjet mes atentatit të sotëm dhe ngjarjeve të mëparshme, ndërsa grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motiveve të kësaj vrasjeje të bujshme.







