Në dalje të tunelit të Llogarasë, turistët përballen me një kontrast të fortë: detin e kaltër të Jonit dhe kantierët e shumtë të ndërtimit që i ngjiten malit si plagë të hapura. Delta e Përroit të Palasës, dikur simbol natyror i përfshirë në kartolina, sot është e rrethuar nga vinça e makineri të rënda që kanë zëvendësuar qetësinë me një zhurmë monotone.
Rreth saj, gjashtë biznesmenë të fuqishëm konkurrojnë për të ngritur më shumë dhe më shpejt komplekset e tyre rezidenciale, duke shndërruar një zonë të virgjër në një qytezë betoni. Ky është vizioni i qeverisë shqiptare për “turizmin elitar”: plazhe private, vila të shtrenjta, pak hotele me 5 yje dhe kantierë të pafund.
Një dekadë pas ligjit për investimet strategjike, riviera nga Palasa në Ksamil është transformuar me qindra mijëra metra katrorë ndërtimesh. Nga 48 projekte të miratuara, 32 janë komplekse turistike apo rezidenciale, shumica në Bashkinë e Himarës. Ndërkohë, banorët vendas përballen me presion e pasiguri.
“Ne nuk na lejojnë të hapim një dritare, ndërsa ndërtimet vazhdojnë pa kufi,” tha një hotelierë 35-vjeçare, e cila refuzoi të identifikohej. Opozita lokale akuzon qeverinë se favorizon një grusht oligarkësh pranë pushtetit, duke mbajtur peng pronat e banorëve.
Biznesmenë të njohur kanë përfituar statusin e investitorit strategjik: Samir Mane me Green Coast 1, 2 e së fundmi 3; Aleksandër Frangaj me White Roads Hotel; vëllezërit Dulaku me San Nicholas Resort; Artan Gaçi me Dreamades Luxury Suites; apo Alban Xhillari i lidhur me Soleil \&Sea në Jal. Projekte të tjera janë shpërndarë në Dhërmi, Drymades, Borsh, Lukovë dhe Sarandë. Në total, mbi 1500 hektarë tokë janë përfshirë në këto zhvillime, prej të cilave 342 hektarë janë dhënë nga shteti falas ose nën çmimin e tregut.
Ndërsa resortet shumëfishohen, bizneset e vogla ndihen të përjashtuara. “Të vegjlit i grijnë nga tatimet e kontrollet. Ndërsa të mëdhenjtë kanë shtetin me vete,” thotë Denis Kokaveshi, pronar i një parkimi për kampera.
Të njëjtin shqetësim e ndan edhe Tefta, pronare e një restoranti në Livadh: “Jam e rrethuar nga hotelet. U ktheva nga emigracioni për të ndërtuar diçka, por më heqin gur pas guri”.
Përfaqësues të opozitës si Fredi Beleri e Afrodita Dhimojani flasin për shpopullim, uzurpim të pronave dhe shkatërrim të identitetit kulturor të Himarës. Nga ana tjetër, kryebashkiaku Vangjel Tavo i cilëson këto investime të pashmangshme dhe mohon tjetërsimin e pronave të banorëve, duke pranuar megjithatë se mes investitorëve ka edhe “grabitqarë”.
Përplasjet për pronat kanë qenë të shpeshta. Ish-kryebashkiaku Jorgo Goro u dënua për lehtësimin e kalimit të tokave shtetërore tek privatët, ndërsa qindra banorë ende nuk kanë certifikata pronësie. Shumë si Kristo Nina, 73 vjeç nga Dhërmiu, enden prej dekadash në gjykata e zyra pa marrë përgjigje.
Banorët druajnë se Riviera po kthehet në një hapësirë të mbyllur për ta dhe për turistët vendas. “Këto investime do të vendosin një tra në Llogara, dhe pas disa vitesh, ne do shkojmë në Pilur për plazh,” tha Tefta, duke shprehur frikën e përjashtimit të plotë nga bregdeti që dikur ishte i të gjithëve.