Katër fëmijët e 36-vjeçares së vrarë, Marjola Nakoleci, do të jetojnë me tezen e tyre në Skiathos. Kujdestaria e të miturve i është besuar motrës së viktimës, pas vendimit të Gjykatës së Volosit. Avokatja e familjes konfirmoi se mbeten vetëm disa procedura për t’u plotësuar, ndërsa urdhri përfundimtar pritet të lëshohet nesër në mëngjes nga Prokuroria e Shkallës së Parë. Raporti i Shërbimit Social është gjithashtu pozitiv, duke vlerësuar kushtet e jetesës së tezes, e cila banon dhe punon në Skiathos. Sipas autoriteteve, edhe fëmijët kanë shprehur dëshirën për të qëndruar me të.
Ngjarja tragjike ndodhi pak ditë më parë në Volos, kur 40-vjeçari shqiptar Pandeli Nakoleci vrau me thikë bashkëshorten e tij, Marjola Nakolecin, në hyrje të pallatit ku banonin, në rrugën Konstanta. Konflikti mes çiftit nisi në apartament dhe më pas vazhdoi në katin e parë të ndërtesës, ku ai e goditi disa herë në qafë dhe shpinë.
Krimi u krye në sy të njërit prej katër fëmijëve, ndërsa të tjerët ndodheshin në banesë. Vajza 16-vjeçare ka dëshmuar para policisë se ka parë momentin kur i ati goditi me thikë mamanë e saj. Mediat greke raportuan se viktima humbi jetën nga gjakderdhja, ndërsa plagët mund të jenë shkaktuar si nga arma e ftohtë, ashtu edhe nga përplasja me një dritare xhami.
Pas ngjarjes, autori u arratis në këmbë, por u arrestua nga policia një ditë më vonë. Ai kishte precedentë penalë për pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe shkelje të ligjeve për drogën. Më herët, në qershor 2025, ai ishte dërguar me urdhër të prokurorit në një klinikë psikiatrike për ekzaminim, ku qëndroi për disa kohë i shtruar.
Autoritetet greke e lidhin gjithashtu sjelljen e tij me përdorimin e drogave, ndërsa dyshohet se në të kaluarën kishte tentuar edhe vetëvrasje. Tronditja e kësaj ngjarjeje ka qenë e thellë, ndërsa fëmijët e mbetur jetimë tashmë do të vazhdojnë jetën pranë tezes së tyre, e cila ka marrë mbi vete përgjegjësinë për t’i rritur.