Pas një periudhe të gjatë ngërçi politik dhe 58 seancash të njëpasnjëshme pa rezultat, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryetarin e ri. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, u votua me 73 vota pro, duke i dhënë fund paralizimit të punës së parlamentit dhe duke hapur rrugën për funksionimin normal të institucioneve.
“E ndjej nderin për votën dhe mbështetjen tuaj, njëkohësisht e ndjej edhe përgjegjësin që më është dhënë. Ky institucion është zemra e demokracisë tonë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve tanë. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica, liria dhe shteti ynë janë më të mëdha se çdo interes i përveçëm.
I bindur se ashtu siç ishim bashkë sa herë ka qenë në pyetje kombi ashtu do të qendrojmë edhe përballë Serbisë, që ka pretendime territoriale ndaj shtetit tonë! Bëj thirrje për një Serbi të demokratizuar që na njeh si shtet të pavarur dhe në ndërtimin e gjeneratave mbi tolerancë.
Jemi për ndërtimin e urave, qofshin ato fizike ashtu edhe në komunikim.
Si kryetar i Kuvendit pres të kemi dallime sepse e tillë është demokracia, por pres të bëhemi bashkë kur e kërkon interesi kombëtar. Pre të shoh debat po gjithmonë të udhëhequr drejt një Kosovë të fortë.”
Zgjedhja e Bashës shënon një moment të rëndësishëm për jetën politike të Kosovës, pas muajsh bllokimi dhe debatesh që kishin penguar punën e institucioneve. Ai pritet të udhëheqë Kuvendin në një periudhë të ndjeshme, ku sfidat politike dhe dialogu ndërkombëtar mbeten prioritete kyçe për vendin.