Edhe pse sot drejtohet nga një kryepeshkop shqiptar, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë vazhdon të mbetet e ndikuar fuqishëm nga helenizmi, trashëgimi e periudhës së Anastas Janullatosit. Ky ndikim grek reflektohet në komunikatat zyrtare dhe aktivitetet e përditshme, duke penguar realizimin e plotë të autoqefalisë, e cila nënkupton pavarësinë e Kishës shqiptare.
Gjatë muajve të verës, grupe të shumta pelegrinësh grekë kanë vizituar Shqipërinë, duke e shndërruar varrin e Janullatosit në një vend pelegrinazhi simbolik. Ata janë pritur nga kryepeshkopi Fatmir Pelushi, i njohur si Imzot Joani, dhe nga klerikë të Kishës Greke. Në njoftimet zyrtare, termi “Vorio-Epir” është përdorur për të përshkruar jugun e Shqipërisë, duke u prezantuar si pjesë e pelegrinazhit pesëditor që përfshiu Shën Sarandën, Gjirokastrën, Manastirin e Shën Kozmait, Korçën, Beratin dhe Tiranën.
Në këtë kuadër, Mitropoliti i Dhimitrias dhe Almiros, Ignati, zhvilloi meshë në kujtim të atyre që ranë në frontin e Sarandës, si dhe në nder të Mitropolitit të ndjerë të Gjirokastrës, Dhimitrit, dhe kryepeshkopit Anastasi, në Katedralen e Ngjalljes në Tiranë. Aktivitetet kulturore në këtë katedrale u shoqëruan me këngë në gjuhën greke nga grupet rinore shqiptare dhe greke.
Në komunikatat e Kishës Greke, kryepeshkopi shqiptar përmendet si “Z. Joanis”, sipas transliterimit grek. Mitropoliti Ignati u shpreh: “Me emocion qëndruam te varri i Kryepeshkopit të bekuar Anastas, një hierark që vulosi rilindjen e Ortodoksisë në vendin tuaj. Ne lutemi për ju dhe Kishën e Shqipërisë dhe do të jemi gjithmonë ndihmës dhe mbështetës në punën tuaj.”
Pelegrinët u ndalën edhe në Berat (Veratio), ku morën pjesë në vizita në kishat historike nën shoqërimin e Mitropolitit të Veratios, Avlonit dhe Kaninit, Astios, si dhe në Dropull e Pogon, ku u pritën nga kryetari i bashkisë Dimitrios Tolis.
Ndërsa besimtarët shqiptarë presin një autoqefali të plotë, prania e helenizmit vijon të mbetet e dukshme në çdo hap të jetës fetare dhe institucionale të Kishës Ortodokse Shqiptare.