Televizioni publik gjerman, ARD, ka publikuar një kronikë tronditëse për atë që e quan “skandal mjedisor” në lumin Vjosa, shpallur tashmë park kombëtar, por i ekspozuar sërish ndaj ndotjes së rëndë.
Në edicionin e lajmeve Tagesschau, kronika paralajmëron: “Skandal mjedisor në parkun kombëtar të lumit të egër në Shqipëri”. Lumi në jug të vendit, një habitat unik për qindra specie kafshësh dhe shpendësh të rrezikuar, ndodhet sot nën kërcënimin e rrjedhjes së naftës dhe nënprodukteve të saj.
Sipas raportimit, ndotja ka ardhur nga kompania shtetërore Albpetrol. Edhe pse kompania ka nisur një proces pastrimi, ekspertët theksojnë se masat janë të papërshtatshme. “Pompat janë të vjetra, situata është katastrofike. Nafta rrjedh kudo,” shprehen ekologjistët.
Ndërkohë ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, pranon vështirësinë e situatës, por prej kaq vitesh tashmë nuk merret asnjë masë ndihmuese, veçse shkaterruese për ekosistemin. “Ne kemi një strategji, por është një proces i gjatë dhe i shtrenjtë,” deklaroi ajo.
Raporti i ARD e cilëson gjendjen si dramatike, duke paralajmëruar se ndotja rrezikon jo vetëm ekosistemin e lumit, por edhe premtimin e qeverisë shqiptare për mbrojtjen e Vjosës si park kombëtar. Gjermanët theksojnë se një hidrocentral dhe një digë e vjetër në fund të lumit bien ndesh me këtë status, duke e kthyer një simbol natyror evropian në një zonë të shkatërrimit mjedisor.