Një 20-vjeçare palestineze, e evakuuar këtë javë nga Gaza drejt Italisë për trajtim mjekësor, ka humbur jetën në spitalin e Pizës si pasojë e kequshqyerjes së rëndë. Lajmi u konfirmua nga vetë institucioni shëndetësor italian.
Sipas mediave italiane, e reja quhej Marah Abu Zuhri. Ajo mbërriti të mërkurën në mbrëmje në Piza, me një fluturim humanitar të organizuar nga qeveria italiane, së bashku me nënën e saj. Në të njëjtin avion u transportuan gjithsej 31 pacientë në gjendje kritike, të prekur nga sëmundje kongjenitale, plagë të rënda ose amputime.
Mjekët e spitalit universitar të Pizës bënë të ditur se gjendja shëndetësore e Zuhrit ishte shumë e rënduar dhe shoqërohej me shterje të thellë organike. Pavarësisht përpjekjeve mjekësore pas kryerjes së analizave dhe nisjes së trajtimit, të premten e reja pësoi një krizë të papritur të frymëmarrjes dhe arrest kardiak, duke ndërruar jetë. Shkaku kryesor i konfirmuar ishte kequshqyerja e rëndë.
Që prej nisjes së konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit, mbi 180 fëmijë dhe të rinj nga Gaza janë evakuuar në Itali për trajtim mjekësor. Sipas Programit Botëror për Ushqimin të OKB-së, një e treta e popullsisë në Gaza kalon ditë pa ushqim, ndërsa rreth gjysmë milioni persona gjenden në prag të urisë.
Raporti i fundit i OCHA njofton se javën e kaluar pesë persona të tjerë humbën jetën nga kequshqyerja, duke e çuar në 227 numrin e viktimave që prej tetorit 2023, mes tyre 103 fëmijë.
Zyrtarët humanitarë nënvizojnë domosdoshmërinë e evakuimeve mjekësore për fëmijët dhe të rriturit e sëmurë në Gaza. Zëdhënësja e agjencisë, Olga Cherevko, përmendi rastin e një vajze shtatëvjeçare, Janah, e cila pas trajtimit ishte rikthyer në spital për shkak të kequshqyerjes së rëndë dhe komplikimeve të tjera. Ajo theksoi se tek pacientët me sëmundje kronike gjendja përkeqësohet më shumë nga mungesa e ushqimit dhe se vetëm ndërhyrja urgjente me furnizime ushqimore dhe evakuime të vazhdueshme mund të shpëtojnë jetë.