Shqipëria po digjet, fshatra të tërë po evakuohen, pacientë po nxirren me urgjencë nga spitalet, ndërsa zjarrfikësit luftojnë me degë dhe lopata. Dy avionët zjarrfikës të premtuar për këtë verë nuk ekzistojnë, satelitët e paguar me miliona nuk kanë paralajmëruar asgjë, dhe në terren mbizotëron improvizimi.
“Me satelitin e parë që do të hedhim në Mars, do të kemi të dhëna në kohë reale përditë dhe policia nuk do të jetë më e varur nga fakti sa mirë e bëjnë punën në terren punonjësit e policisë, por do të varet vetëm nga mbledhja e të dhënave.
Dronët po e po, por edhe satelitët, në mënyrë që kontrolli mbi territorin, mbi trafiqet, mbi kufijtë, të kalojë në nivelin e teknologjisë dhe të hiqet nga duart e atyre që kontrollojnë me sy. Prandaj, sytë për të kontrolluar do t’i çojmë në qiell e do të kontrollojmë nga qielli.“– mburrej Rama për satelitët. Rezultati? Ende s’po shohim asnjë efekt!
Po ashtu, para kësaj vere premtoi me mburrje edhe avionët zjarrfikës:
“Duke filluar nga kjo verë, flota jonë ajrore do të ketë në dispozicion dy avionë zjarrfikës. Janë bërë marrëveshjet. Në dispozicion, në gatishmëri për ne, pa pritur që të vijnë nga një vend, apo nga një vend tjetër.“
Kryeministri premtoi, pastaj u tërhoq, premtimet u bënë sërish hi. Jemi mësuar me këtë skemë, premtime dhe mashtrime pa fund, por kur vidhen miliarda nga buxheti, nuk ka asnjë arsye të mos gjenden 10 milionë euro për të parandaluar tragjedi të tilla, për të pajisur zjarrfikësit dhe për të mos lënë këtë tokë e këta njerëz të shkrumbohen nga flakët.
Mjafton një paketë minimale, realiste për Shqipërinë, që ulet në terren brenda pak javësh dhe mban mend shifra të thjeshta:
2 avionë të përdorur AT-802 Fire Boss, gati në treg.
1 helikopter i mesëm me qira sezonale, me bambi bucket.
10 autobote 4×4 dhe 10 pickup ndërhyrje të shpejtë me depo uji.
300 sete PPE, 200 pompa shpine, 200 radio digjitale për ekipet.
20 dronë me termal dhe 30 kamera termike në pika të larta.
Qendër e vetme dispeçerie me alarme satelitore publike në kohë reale.
10 mijë hektarë pastrim shkurresh dhe rripa zjarri në zonat e kuqe.
6 pilotë të huaj të kontraktuar për sezonin dhe nisje trajnimi për pilotë vendas.
Investim fillestar kushton rreth 8 deri 10 milionë euro për blerje dhe pajisje. Sa i përket kostos vjetore të operimit, rreth 4 deri 5 milionë euro për karburant, mirëmbajtje, qira helikopteri, parandalim dhe pagesa sezonale të ekipeve.
Kaq mjafton që vatrat të kapen brenda orëve të para, jo të kthehen në katastrofë kombëtare. Dy avionë të përdorur dhe një helikopter me qira janë të arritshëm tani. PPE, pompat, radiot dhe dronët porositen brenda javësh. Dispeçeria ngrihet me soft standard. Pilotët e huaj mbulojnë sezonin, ndërsa trajnohen pilotët vendas. Kjo është praktikë, jo propagandë. Shqipëria nuk ka luksin të presë premtime të reja.