Një vatër e re zjarri shpërtheu në fshatin Rusan të Delvinës, vetëm pak metra larg banesave në lagjen Kasapaj, duke vënë në alarm qindra banorë që po përjetojnë orë tmerri.
Banorët thonë se flakët po i afrohen shtëpive me shpejtësi, ndërsa deri tani nuk ka pasur ndërhyrje nga autoritetet. Sipas tyre, për momentin nuk ka zjarrfikës, helikopterë apo avionë, edhe pse situata është kritike.
“Nuk ka asgjë! Po digjemi! Jemi të braktisur. Ku janë shteti, emergjencat, avionët? Zjarri po ju afrohet banesave. Kërkojmë ndihmë, jemi në hall. Nuk ka as helikoptera, asgjë”, shprehen banorët.
Era dhe terreni i thyer po e bëjnë të pamundur ndërhyrjen tokësore. Ata i bëjnë thirrje qeverisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes që të ndërhyjnë menjëherë me mjete ajrore.
Gjatë mbrëmjes së djeshme, Delvina përjetoi një situatë alarmante, dhjetra hektarë tokë u dogjën, shumë banorë u evakuan, ndërsa spitali u zhvendos përkohësisht në Kinoteatër për shkak të tymit të dendur.
Të paktën 10 persona, përfshirë efektivë të policisë, u asfiksuan dhe morën ndihmë mjekësore.
Banorët shprehen të zhgënjyer nga reagimi i autoriteteve: “Po të pyesësh kryeministrin sa e vështirë është. Nuk kanë ndërhyrë në kohë, ka patur shumë vonesa. Emergjencat s’kanë qenë fare, prefekti ka ardhur në orën 2 të mëngjesit. Vetëm avionët na shpëtonin, ato duhen. Zjarri u aktivizua brenda 3 minutave”.
Një banor tjetër shton:
“Mos më merrni me kamera, por merr kryeministrin, zjarrfikësja të shuaj zjarret, mos të rrijë aty. Më janë djegur ullinjtë dhe malli atje sipër”.
Banori shprehet se zjarrëfikësit ishin të lodhur dhe i lanë vetëm në mëshirë të fatit: “Ata janë të lodhur, të mbaruar dhe nuk kanë fuqi. I prita të vinin por na lanë në mëshirë të fatit”.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe mbështetje për të shpëtuar pronat dhe jetët e tyre.