Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare si një prej destinacioneve më tërheqëse dhe të përballueshme për pushime në Evropë.
E përshkruar nga “Mirror” si “Maldivet e Evropës”, vendi ynë është bekuar me një klimë të butë mesdhetare dhe temperatura që në verë kapin deri në 30°C, duke e bërë atë ideal për adhuruesit e diellit dhe detit.
Brigjet e virgjëra me rërë të bardhë dhe ujëra kristal të Rivierës shqiptare janë kthyer në atraksionin kryesor për turistët, veçanërisht pas shpërndarjes virale të videove mahnitëse në TikTok, që kanë nxjerrë në pah bukurinë natyrore të vendit.
Një nga avantazhet më të mëdha të Shqipërisë është përballueshmëria. Akomodimet luksoze pranë bregdetit ofrohen me çmime shumë më të ulëta se në vendet e tjera të rajonit, me apartamente që fillojnë nga vetëm 20 paund për natë.
Një vakt i pasur në restorantet buzë detit, së bashku me pije, kushton mesatarisht 15 paund, një ofertë që rrallë gjendet në Evropën Perëndimore.
Turistët mund të gjejnë gjithashtu dhoma hoteli në qendër të Tiranës për më pak se 30 paund nata, shpesh me mëngjesin e përfshirë. Ndërkohë, përgjatë bregdetit Adriatik, çmimet janë edhe më konkurruese, duke e bërë Shqipërinë një zgjedhje të përsosur për pushime me buxhet të kufizuar.
Një rrugë tjetër e përballueshme për të eksploruar bregun shqiptar është përmes Korfuzit, nga ku një udhëtim me traget për në Sarandë kushton rreth 15 paund. Nga atje, turistët mund të vazhdojnë aventurën e tyre drejt fshatrave bregdetare si Dhërmiu, ku kampingu dhe eksplorimi i plazheve të fshehura ofron një përvojë të veçantë dhe të lirë. Një drekë në një restorant lokal buzë detit mund të kushtojë rreth 10 paund për person.
Ekspertja e udhëtimeve Laura Hewson, e cila e vizitoi Shqipërinë gjatë vjeshtës së kaluar, rrëfen se fillimisht kishte planifikuar të shkonte në Kroaci. Por pasi dëgjoi rekomandimet e miqve që kishin vizituar Shqipërinë, vendosi ta ndryshojë itinerarin.
“Na thanë se ishte si Greqia apo Kroacia, por më e lirë dhe më e bukur, pasi nuk ishte mbipopulluar nga turistët,” tha ajo.
Edhe shoqja e saj, Farrell Modd, theksoi ndikimin që patën rrjetet sociale në zgjedhjen e këtij destinacioni. Videot që shfaqnin plazhe të paprekura, detin e pastër dhe pamje magjepsëse, ishin mjaftueshëm bindëse për ta shtyrë të udhëtonte drejt Shqipërisë.
Për të dyja, përvoja ishte mbresëlënëse: çmime të arsyeshme, akomodime komode dhe një natyrë që të lë pa frymë, një kombinim perfekt për pushime të paharrueshme.
Shqipëria po hyn fuqishëm në hartën turistike të Evropës, dhe jo rastësisht. Me bukurinë e saj natyrore, mikpritjen tradicionale dhe çmimet e favorshme, ajo po shndërrohet në një nga destinacionet më të preferuara të pushuesve europianë.