Të paktën 83 persona humbën jetën të martën në Rripin e Gazës nga sulmet e forcave izraelite, përfshirë 58 civilë që prisnin ndihma humanitare.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, u regjistruan gjithashtu edhe tetë vdekje të tjera për shkak të urisë. Bilanci tragjik është raportuar nga Al Jazeera, duke i dhënë zë rritjes së shqetësimeve ndërkombëtare për situatën në terren.
Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile, Mahmoud Bassal, tha se 30 persona u vranë nga të shtënat pranë një qendre ndihmash në Khan Younis, në jug të Gazës.
Në një tjetër incident në Zikim, në veri të Rripit, 20 të tjerë u vranë dhe afro 100 u plagosën, gjithashtu teksa prisnin ndihma. Ushtria izraelite deklaroi se kishte qëlluar “të shtëna paralajmëruese” ndaj një grupi që po afrohej në Korridorin Morag, por nuk raportoi viktima.
Në qytetin qendror të Gazës, gjashtë persona u vranë dhe 21 të tjerë u plagosën, ndërkohë që ushtria izraelite mohoi të ketë hapur zjarr në këtë zonë.
OKB: Pasoja katastrofike nëse Izraeli pushton Gazën
Ndihmës sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara për Evropën dhe Azinë Qendrore, Miroslav Jenca, paralajmëroi gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Sigurimit se një ofensivë e re izraelite për pushtimin e plotë të Gazës mund të sjellë pasoja “katastrofike” për miliona palestinezë dhe të rrezikojë më tej jetën e pengjeve ende në territorin e kontrolluar nga Hamasi.
Që nga fillimi i luftës, më shumë se 60,000 persona janë vrarë nga ushtria izraelite, gjysma prej tyre gra dhe fëmijë.
Mesatarisht, 1,500 viktima në muaj, një bilanc që, përtej numrave, përfaqëson jetë, histori dhe ëndrra të zhdukura, në një konflikt që vijon të çnjerëzojë një popull të tërë.
Shkatërrim masiv dhe krizë humanitare
Sipas një raporti të ISPI, bazuar në të dhëna të Kombeve të Bashkuara, më shumë se 70% e ndërtesave në Gaza janë dëmtuar që nga prilli, ndërsa 28% janë shkatërruar plotësisht. Më shumë se 800 xhami janë rrënuar dhe rreth 80% e spitaleve dhe klinikave janë jashtë funksionit, pas afro 720 sulmeve ndaj strukturave shëndetësore. Nga këto sulme kanë humbur jetën rreth 950 persona, përfshirë mbi 100 mjekë dhe infermierë.
Mbi dy milionë banorët e Gazës përballen me një nga krizat më të rënda të pasigurisë ushqimore në botë. Pas një bllokade totale dy-mujore, 93% e popullsisë ndodhet në gjendje të rënduar urie, ndërsa 12% klasifikohen në nivel “katastrofik”.
Deri më tani, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, 181 persona, përfshirë 94 fëmijë, kanë vdekur si pasojë e mungesës së ushqimit.
Ndihma humanitare, shumë larg nevojës
Para luftës, në Gaza hynin rreth 600 kamionë ndihma në ditë. Sot, edhe pse qeveria izraelite ka hapur disa korridore ndihmash, në dy javët e fundit janë lejuar vetëm 400 kamionë – shumë pak për të përballuar nevojat urgjente të popullsisë. Qendrat e shpërndarjes së ndihmave administrohen tani nga Gaza Humanitarian Foundation, por Kombet e Bashkuara e kanë cilësuar këtë sistem si “joefikas, jo të sigurt dhe që cenon dinjitetin njerëzor”.
Nga përfundimi i armëpushimit më 18 mars, mbi 632,000 persona janë zhvendosur sërish. Ndërkohë, që nga fillimi i majit, të paktën 28 punonjës humanitarë janë vrarë, duke e çuar në 452 numrin total të viktimave në këtë kategori.
Kanë kaluar 20 muaj që afro një milion fëmijë në Gaza nuk kanë pasur mundësi të ndjekin shkollën. 700,000 gra jetojnë në kushte të skajshme higjienike, të pambështetura, të rrezikuara në heshtje.