Një ngjarje e rëndë është regjistruar në një berberhane në qytetin e Vlorës, ku një 25-vjeçar ka mbetur i plagosur me thikë. Viktima është identifikuar si Margarit Shakaj, ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes është Shkëmbor Skënderaj.
Sipas informacioneve të bëra publike, ngjarja ka ndodhur brenda ambjenteve të berberhanes, ku Skënderaj dyshohet se ka hyrë dhe e ka goditur Shakajn me thikë në kraharor. Pas sulmit, autori ka hedhur thikën në trotuar dhe është larguar me vrap, duke i shpëtuar deri tani ndalimit nga ana e policisë.
Mësohet se konflikti mes të dyve ka pasur një histori të mëparshme, çka dyshohet të jetë edhe shkaku i sulmit. Sipas raportimeve mediatike, Shkëmbor Skënderaj ishte klient në berberhanë, ndërsa Margarit Shakaj ndodhej atje si kursant.
Policia ndodhet në kërkim të autorit dhe po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.