Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Pogradecit mëngjesin e sotëm, ku një grua 52-vjeçare është gjetur e pajetë në banesën e saj të përfshirë nga flakët në lagjen nr. 1 të qytetit.
Viktima është identifikuar si Kozeta Teço. Sipas informacioneve paraprake nga grupi hetimor, ngjarja dyshohet të ketë qenë kriminale. Ekspertët mjeko-ligjorë kanë konstatuar shenja të jashtme dhune në trupin e viktimës, çka përforcon dyshimet se ajo është vrarë përpara se banesa të digjej.
Pista kryesore e hetimit është ajo e një konflikti për motive pronësie. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të vendosura në dy objekte pranë pallatit ku ndodhej banesa e Teços, ndërkohë që disa persona janë shoqëruar në komisariatin e Pogradecit për t’u marrë në pyetje në lidhje me rrethanat e ngjarjes.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht motivin dhe autorët e dyshuar të krimit.