Operacioni i fundit i SPAK ka çuar në arrestimin e katër personave të përfshirë në një rrjet trafiku ndërkombëtar kokaine.
Burime konfirmojnë se personi i katërt i arrestuar është Ilir Lloshi, ndërsa më herët u ndaluan edhe Klevis dhe Artur Hoxhosmani, si dhe Ermir Ndreaj, një biznesmen i njohur dhe pronar i disa kompanive.
Hetimet për këtë grup nisën pas përgjimeve të realizuara në aplikacionin e koduar Sky ECC, ku janë zbuluar komunikime që lidhen me trafikun e drogës.
Po ashtu, burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se të njëjtat prova janë përforcuar edhe nga dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Erion Alibej.
Sot, në qelitë e burgut ku ndodhen të izoluar, u është komunikuar zyrtarisht akuza Plarent Dervishajt dhe Erion Alibejt.
Dervishaj po gjykohet për atentatin e bujshëm ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, ndërsa Alibej, i akuzuar për disa vrasje me pagesë, ka pranuar bashkëpunimin me drejtësinë, duke rrëfyer një sërë ngjarjesh kriminale, përfshirë edhe episode të trafikut të drogës.
Gjatë aksionit të së premtes, autoritetet sekuestruan pasuri me vlerë të konsiderueshme, përfshirë orë luksoze, bizhuteri të shtrenjta dhe automjete me vlerë të lartë.
Në total, operacioni i fundit ka çuar në identifikimin e shtatë të dyshuarve: katër janë arrestuar, një është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi ndodhet jashtë Shqipërisë, ndërsa për dy të tjerë vijojnë hetimet. Identiteti i njërit prej të ndaluarve nuk është bërë ende publik.