Ky që shihni në foto është Çlirim Dogani, 55 vjeç nga Roskoveci, i cili është vënë në pranga si bashkëpunëtor në vrasjen e Anesti Ramës, 56-vjeçarit nga Fierit, ngjarje që ka tronditur opinionin publik.
Sipas Policisë së Fierit, Dogani dyshohet se ka ndihmuar Ermalinda Ramën, vajzën e viktimës, në ekzekutimin e të atit, duke përdorur mjete prerëse dhe sende të forta.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se vajza dhe 55-vjeçari kanë pasur një lidhje intime, pavarësisht faktit që Dogani është i martuar dhe baba i fëmijëve të rritur. Kjo lidhje dyshohet se ka qenë shkaku kryesor i krimit, pasi Anesti Rama nuk e miratonte marrëdhënien dhe konsiderohej si pengesë nga e bija.
Ndonëse Dogani mohon përfshirjen dhe pretendon se ndodhej në fshatin e tij kur ndodhi ngjarja, hetimet kanë zbuluar të tjera indicie që hedhin dyshime të forta për rolin e tij. Ai është shprehur se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen dhe se akuzat janë të pabaza.
Ndërkohë, më herët janë arrestuar edhe dy të tjera: vajza e viktimës, 26-vjeçarja Ermalinda Rama, si autore kryesore e krimit, dhe nëna e saj, Valbona Rama, e cila dyshohet se ka ndihmuar në fshehjen e gjurmëve dhe inskenimin e ngjarjes si një vdekje aksidentale.
Sipas hetuesve, Ermalinda ka mbytur babain e saj me tel, ndërsa Valbona e ka ndihmuar për të pastruar vendin e ngjarjes dhe për të lajmëruar më pas policinë me pretendimin se 56-vjeçari kishte humbur jetën pas një rrëzimi në banjë.
Dëshmitë e familjarëve dhe fqinjëve kanë nxjerrë në pah një histori të gjatë tensioni në familjen Rama, ku viktima përshkruhet si njeri i nënshtruar, i dhunuar nga gruaja dhe vajza, që shpesh e izolonin dhe e linin pa ushqim, ndërkohë që i merrnin edhe pagën përmes një prokure bankare.