SPAK ka dërguar për gjykim 29 persona, përfshirë pedagogë, staf akademik dhe biznesmenë, të cilët dyshohen për përfshirje në manipulime me tendera në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Në mesin e të pandehurve rëndojnë akuzat për “shkelje të barazisë në tendera” dhe “shpërdorim detyre”, lidhur me prokurimet publike të zhvilluara në këtë institucion arsimor. Aktualisht, dosja penale është në përgatitje për t’u dërguar në gjykatë.
Hetimet, të nisura më 21 tetor 2022, zbuluan një skemë të mirëorganizuar ku zyrtarë të lartë akademikë, përfshirë dy zëvendësrektorët Ilir Kapaj dhe Romina Kotaj, si dhe administratorin Edmond Tërthorja, bashkëpunuan me disa biznese për të manipuluar procesin e prokurimeve.
Firmat e favorizuara në këto procedura janë “Krijon” sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k dhe “Malvina Visoka PF”. Sipas hetimeve, 9 tendera të zhvilluar gjatë vitit 2022, me vlerë të përgjithshme rreth 900 mijë euro, ishin paracaktuar paraprakisht.
SPAK ka konstatuar se këto kompani jo vetëm që favorizoheshin dhe përzgjidheshin me qëllim në tendera, por gjithashtu përdornin oferta fiktive në emër të bizneseve të tjera për të shtuar artificialisht vlerën e tenderave.
Përgatitja e dokumentacionit për fondet limit dhe specifikimet teknike u realizua në bashkëpunim të ngushtë me fituesit e paracaktuar, pa asnjë analizë reale të tregut.
Hetimet po ashtu zbuluan se pajisjet dhe mallrat e tenderuara ishin siguruar nga operatorët fitues disa muaj para shpalljes së tenderave, duke dëshmuar se fituesit ishin përcaktuar më parë.
Ky manipulim përfshiu edhe anëtarët e njësisë së prokurimit dhe Komisionin e Vlerësimit të Ofertave, të cilët ndihmuan në përzgjedhjen e fituesve të paracaktuar.
Sipas njoftimit të SPAK-ut më 22 korrik 2025, procedimi penal nr.13/1 i vitit 2022, i ndarë nga një proces tjetër, përfshin 27 zyrtarë të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe dy përfaqësues të “Krijon” sh.p.k. Zyrtarët e universitetit akuzohen për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera” në bashkëpunim, ndërsa përfaqësuesit e biznesit për “falsifikim të dokumenteve” në bashkëpunim, duke kryer veprime më shumë se një herë.
Gjatë hetimeve janë përdorur metoda speciale, duke përfshirë përgjime telefonike, vëzhgime dhe administrim të dokumentacionit të tenderave. Janë zbuluar veprime të kundraligjshme nga zyrtarët Romina Koto dhe Ilir Kapaj, si dhe nga Bejo Bizhga dhe Edmond Tërthorja, të cilët kanë përgatitur të dhëna fiktive për projektet dhe kanë bashkëpunuar ngushtë me operatorët ekonomikë fitues.
Në këtë skemë janë përfshirë edhe anëtarë të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit, të cilët, në bashkëpunim me administratorin Tërthorja, kanë krijuar kushtet për të favorizuar firmat “Krijon” sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k dhe “Malvina Visoka PF”. Përveç kësaj, ofertat e fituara janë rezultuar të falsifikuara dhe janë përdorur kompani fasadë për të fryrë fondet limit pa asnjë studim tregu.
Prokuroria po vazhdon hetimet për të zbuluar çdo përgjegjësi tjetër lidhur me dokumentacionin dhe veprimet e kryera në kuadër të këtyre procedurave të prokurimit, me qëllim identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe çdo shkeljeje të mundshme penale.