Një sasi tritoli ka shpërthyer në makinën e 31-vjeçarit Klaus Jaçe, ngjarje që ndodhi pak para mesnatës në lagjen nr. 3 të Sarandës.
Automjeti ishte i parkuar përpara banesës së tij dhe, fatmirësisht, shpërthimi shkaktoi vetëm dëme materiale.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Klaus Jaçe rezulton person në kërkim për akuzën “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me një ngjarje të datës 17 korrik, kur dy persona mbetën të plagosur me armë zjarri në të njëjtën lagje të qytetit.
Policia e Sarandës ka zbardhur pjesërisht ngjarjen e plagosjes me armë, ku katër persona janë shpallur në kërkim. Ndërkohë, njëri prej të plagosurve është arrestuar pasi iu gjet një armë pa leje.
Të plagosurit, dy të rinj nga Tirana, ndodheshin në Sarandë prej gjashtë muajsh, si pjesë e një grupi sigurie që ruante familjen e një shtetasi të larguar drejt Dubait. Sipas burimeve hetimore, ky person është i përfshirë në një konflikt të mëparshëm që ka përfunduar me vrasje me eksploziv në Tiranë disa vite më parë.
Konflikti i fundit lidhet me pronësinë dhe përdorimin e një pjese të plazhit në Sarandë. Burime pranë hetuesisë thonë se plazhi ishte marrë me qira për katër vite nga autori i plagosjes, i cili kohët e fundit ishte përzënë me forcë nga dy të rinjtë e ardhur nga Tirana.
Kjo përplasje ndodhi pasi personi që jeton në Dubai kishte arritur një marrëveshje me një familje sarandiote që pretendon pronësinë mbi këtë hapësirë.
Përplasjet u përshkallëzuan, dhe disa ditë më parë, autori i plagosjes kishte kërkuar kompensimin për investimet e tij në plazh.
Konflikti përfundoi me një përballje fizike me truprojat, për të cilën ai reagoi duke i qëlluar me armë zjarri, duke i plagosur të dy. Aktualisht, të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtim në Spitalin e Traumës në Tiranë.