Bashkimi Evropian ka miratuar një raund të ri sanksionesh ndaj Rusisë, duke goditur sektorët kyç të energjisë dhe financave me synimin për të dobësuar aftësitë ushtarake të Kremlinit dhe për të nxitur një armëpushim të përkohshëm në Ukrainë.
Paketa e re, e miratuar nga ambasadorët në Bruksel, përfshin ndalimin e transaksioneve me 22 banka ruse dhe Fondin Rus të Investimeve Direkte bashkë me degët e tij, si dhe ndalon përdorimin e tubacioneve nënujore Nord Stream, aktualisht të mbyllura, por që Moska synon t’i rikthejë në funksionim në të ardhmen.
Në të njëjtën kohë, BE vendos një kufi dinamik për çmimin e naftës së papërpunuar ruse. Çmimi i ri i vendosur do të jetë gjithnjë 15% më i ulët se mesatarja e tregut, duke filluar me një nivel fillestar prej 47.6 dollarë për fuçi.
Kjo masë pason qëndrimin e rezervuar të Shteteve të Bashkuara, të cilat nuk e mbështetën uljen e mëtejshme të kufirit, ndryshe nga linja që kishin ndjekur më parë në kuadër të G7.
Një tjetër komponent i rëndësishëm i paketës është ndalimi i aksesit në portet dhe shërbimet e BE-së për 105 cisterna të tjera të ashtuquajtur të “flotës në hije” anije të vjetra që Rusia i përdor për të anashkaluar kufizimet e çmimit të naftës. Numri total i këtyre anijeve të sanksionuara tashmë shkon në mbi 400.
Kjo është paketa e 18-të e sanksioneve që BE miraton që prej fillimit të agresionit rus në Ukrainë në shkurt 2022. Përparimi në këtë raund u bë i mundur pasi Sllovakia tërhoqi veton e saj, e cila kishte bllokuar për muaj të tërë procesin e miratimit.
Vetoja sllovake ishte e lidhur me një çështje të ndryshme, propozimin për ndalimin gradual të përdorimit të lëndëve djegëse fosile nga Rusia deri në vitin 2027.
Si një vend pa dalje në det dhe me varësi të lartë nga gazi rus, Bratislava kishte shprehur shqetësime për ndikimin ekonomik dhe energjetik të këtij plani, duke paralajmëruar rritje të çmimeve dhe cenim të konkurrueshmërisë.
Kryeministri sllovak Robert Fico kishte kërcënuar me pasoja të mëdha financiare për vendin e tij, përfshirë një padi të mundshme nga Gazprom në vlerën 16-20 miliardë euro për ndërprerjen e kontratës së furnizimit me gaz që zgjat deri në vitin 2034.
Komisioni Evropian, nga ana tjetër, argumenton se ndalimi i gazit rus mund të konsiderohet “forcë madhore” në rast padie, duke mbrojtur kështu qeveritë dhe bizneset nga ndëshkimi ligjor.
Në këtë mënyrë, paketa e re e sanksioneve jo vetëm që synon dobësimin e ekonomisë ruse, por edhe dëshmon sfidat e brendshme të BE-së për të ruajtur unitetin përballë një lufte që ende nuk ka një fund të qartë.