Felix Baumgartner, një prej figurave më ikonike në botën e sporteve ekstreme, ka ndërruar jetë në mënyrë tragjike në moshën 56-vjeçare, pas një aksidenti me paraglider të motorizuar në Itali.
Sipas raportimeve të Sky Austria, austriaku humbi jetën në qytetin bregdetar të Porto Sant’Elpidio, pasi pësoi një “sëmundje të papritur” gjatë fluturimit, duke humbur kontrollin e mjetit ajror dhe duke përfunduar në një pishinë hoteli. Përplasja rezultoi fatale, me vdekjen që u konstatua menjëherë në vendngjarje.
Në incident u plagos edhe një punonjës i hotelit, i cili u godit nga paraglideri në momentin e rrëzimit. Ai u transportua me urgjencë në spital dhe mësohet se ka pësuar dëmtime në qafë.
Baumgartner u bë i njohur në mbarë botën në vitin 2012, kur realizoi një hedhje historike nga stratosfera, mbi 39 kilometra lartësi, duke arritur një shpejtësi maksimale prej Mach 1.25 (843.6 mph). Ai hyri në histori si njeriu i parë që theu barrierën e zërit pa ndihmën e një automjeti.
Vetëm disa orë para aksidentit fatal, ai kishte publikuar postime në rrjetet sociale, ku shfaqte entuziazmin për aventurat e fundit, të cilat fatkeqësisht rezultuan të jenë të fundit për të.
Felix Baumgartner do të kujtohet si një pionier i vërtetë i sporteve ekstreme dhe si simboli i guximit që shtyu përtej kufijtë e të mundshmes.