Prokuroria e Lezhës ka kërkuar për herë të dytë pushimin e hetimeve në lidhje me koncesionin për ndërtimin e katër hidrocentraleve të vegjël në Kaçinar të Mirditës, projekt që prej shtatë vitesh kundërshtohet me forcë nga banorët e zonës.
Sipas prokurorisë, hetimet nuk kanë provuar ekzistencën e elementëve të veprave penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”, ashtu siç pretendohet në kallëzimet e banorëve. Për këtë arsye, është kërkuar mbyllja e çështjes.
Kërkesa për pushim i është paraqitur gjykatës dhe aktualisht po shqyrtohet nga gjyqtarja Iva Caca. Por kjo lëvizje e organit të akuzës është pritur me zemërim nga komuniteti lokal, i cili ka dalë sërish sot në protestë përpara prokurorisë.
Të pajisur me pankarta në duar, banorët shprehën kundërshtimin ndaj ndërtimit të hidrocentraleve, të cilat sipas tyre, po dëmtojnë rëndë mjedisin dhe jetën e tyre. Mes pankartave lexoheshin mesazhe të forta si:
“Zoti na e dhuroi ujin e ju doni me na e grabitur”,
“Jo dorë të zezë mbi Mirditën e bardhë”,
“Uji është jeta jonë, mos na thani shpirtin”,
“Uji asht jetë, mos na e thani shpirtin. Na detyroni që të vetësakrifikohemi”.
Banorët kanë protestuar edhe më herët, duke kërkuar anullimin e kontratës me kompaninë koncesionare “Shpërdhaza Energji”.
Sipas dokumentacionit, kjo kompani ka lidhur një kontratë koncesioni me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në vitin 2015.
Objekti i marrëveshjes përfshin financimin, projektimin, ndërtimin, kolaudimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e hidrocentraleve në zonën ujëmbledhëse të lumit Shpërdhazë, degë e Fanit të Madh, në territorin e Mirditës. Administrator i kompanisë është Kreshnik Malaj.
Ndërkohë, banorët shprehen të vendosur për të vazhduar rezistencën e tyre ndaj projektit, duke e konsideruar atë si një kërcënim serioz për të ardhmen e komunitetit dhe burimeve natyrore të zonës.