Fluksi i turistëve në Krujë ka njohur një rritje të ndjeshme këtë vit, duke e renditur qytetin si një nga destinacionet më të kërkuara në Shqipëri.
Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit, mbi 95 mijë vizitorë, vendas dhe të huaj,kanë zgjedhur të eksplorojnë pikat më tërheqëse të qytetit: Muzeun Historik Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Muzeun Etnografik dhe Pazarin karakteristik.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kjo shifër përfaqëson një rritje të dukshme të interesit turistik.
Mes vizitorëve të huaj, shumë prej tyre ndajnë përshtypjet pozitive për vendin. Një turiste nga Parisi shprehet: “Kam ardhur bashkë me motrën dhe kemi udhëtuar në disa qytete si Berati, Korça dhe Saranda. Shqipëria është shumë e bukur dhe njerëzit janë të sjellshëm. Jam shumë e impresionuar.”
Një tjetër turiste franceze shton: “Ky vend na ka mahnitur me kulturën dhe peizazhet. Është i bukur dhe jo shumë i kushtueshëm.”
Ndërsa një tjetër turist, që ka qenë më parë në Shqipëri si student, thotë se këtë herë ka ardhur me familjen: “Kemi vizituar Tiranën dhe Shkodrën, ndërsa në vijim do të shkojmë në Pogradec dhe Vlorë. Kruja është ndalesë e veçantë për ne.”
Sipas drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, Mehdi Hafizi, interesimi më i madh gjatë këtij gjashtëmujori ka ardhur nga turistë të vendeve si Kina, Italia, Spanja, Koreja, Japonia dhe së fundmi Polonia.
Rritja e vizitorëve ka gjallëruar edhe jetën tregtare në Pazarin e vjetër, ku artizanët dhe bizneset lokale përfitojnë nga rritja e kërkesës.
Njëkohësisht, mikpritja dhe shërbimi cilësor i stafit po ndihmojnë në krijimin e një përvoje të veçantë për çdo vizitor, duke e kthyer Krujën në një nga pikat më të preferuara të turizmit kulturor në vend.