Skip to content
Kryesore

Zhytje historike në shpellën “Kusia e Nue Gjonit”, zbulim i rrallë nga speleologët shqiptarë

· 2 min lexim

Më 11 korrik, speleologjia shqiptare shënoi një arritje historike me realizimin e një zhytjeje të parë profesionale në liqenin e brendshëm të shpellës “Kusia e Nue Gjonit”, në fshatin Kurbnesh.

Një ekip tërësisht shqiptar, i përbërë nga speleologë, zhytës dhe entuziastë të kërkimeve në natyrë, arriti të eksplorojë lidhjen midis dy liqeneve brenda shpellës dhe të zbresë në një thellësi prej 11 metrash.

Ky eksplorim, i udhëhequr nga Roland Doja dhe Alket Camaj, u cilësua si një hap domethënës për zhvillimin e speleologjisë dhe kërkimeve shkencore në Shqipëri.

Shoqata Speleologjike Shqiptare thekson se zbulimi i lidhjes nëntokësore dhe potenciali i madh gjeologjik i shpellës i japin asaj rëndësi të veçantë si për turizmin aventurier, ashtu edhe për studimet shkencore mbi mjedisin nënujor.

Në njoftimin e shpërndarë në rrjetet sociale, shoqata e cilësoi këtë ekspeditë si “një hap gjigant për eksplorimin shkencor në Shqipëri”, duke nënvizuar rëndësinë e përfshirjes së brezit të ri në kërkime dhe mbrojtjen e trashëgimisë natyrore.

Kjo zhytje shënon jo vetëm një sukses teknik, por edhe një mesazh të qartë për potencialin e pashfrytëzuar që mbartin hapësirat natyrore shqiptare, të cilat, me përkushtim dhe profesionalizëm, mund të zbulojnë pasuri të jashtëzakonshme nëntokësore.