Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë fshatin Palokastër në Gjirokastër në orët e para të mëngjesit të së dielës, duke shkaktuar panik mes banorëve për shkak të afërsisë me shtëpitë e tyre.
Flakët nisën në një zonë me shkurre në hyrje të fshatit dhe, për shkak të erës dhe terrenit të vështirë, u përhapën me shpejtësi drejt banesave.
Ndërhyrja e menjëhershme e forcave zjarrfikëse ka shmangur përshkallëzimin e situatës. Ekipet arritën të izolonin vatrën pa dëme në njerëz apo prona, pavarësisht rrezikut të madh që paraqiste vendndodhja e zjarrit.
Drejtoria e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në Gjirokastër u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal në këtë periudhë të nxehtë, duke shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë ndezje zjarri në ambiente të hapura.