Skip to content
Kosovë

Kurti takohet me zyrtarin e lartë të DASH, çfarë u diskutua

· 2 min lexim

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është takuar dje me Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, në një darkë pune të zhvilluar në rezidencën e ambasadorit amerikan në Prishtinë.

Takimi u organizua nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së, Anu Prattipati.

Në këtë takim, Kurti e priti Hanrahan me vlerësime për rolin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara si aleat strategjik i Kosovës dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së në procesin e shtetndërtimit dhe zhvillimit demokratik të vendit.

Gjatë diskutimeve u trajtuan një sërë çështjesh që prekin marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, përfshirë investimet, mbrojtjen, diplomacinë dhe integrimin euro-atlantik të Kosovës.

Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua edhe zhvillimeve aktuale politike në rajon, marrëdhënieve me Serbinë dhe sfidave për sigurinë e stabilitetin rajonal.

Pas takimit, Kurti ndau në rrjetin social X momente nga takimi dhe theksoi: “Ishte kënaqësi të takoja Brendan Hanrahan, përfaqësues i lartë i Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit. E falënderova për mbështetjen e SHBA-së ndaj Kosovës dhe diskutuam mënyrat për të forcuar partneritetin tonë në fusha kyçe si ekonomia, diplomacia dhe mbrojtja.”