Në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar u zhvillua të premten seanca e rigjykimit për Festim Bexhdilin, i akuzuar për përfshirje në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, ngjarje e rëndë që ndodhi në janar të vitit 2020.
Bexhdili, i cili punonte si kopshtar në resortin “Golden” në Shijak, vendi ku dyshohet se u mbajt peng Jan Prenga, është rikthyer në gjykatë pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila rrëzoi dënimin e mëparshëm me burgim të përjetshëm dhe urdhëroi rigjykim.
Seanca u shoqërua me përplasje mes dy prokurorëve të SPAK, të cilët dhanë qëndrime të kundërta për dënimin e Bexhdilit.
Prokurorja Elida Kaçkini kërkoi që dënimi me burgim të përjetshëm të mbetet në fuqi, duke argumentuar se Bexhdili ka pasur dijeni të plotë për ngjarjen dhe ka luajtur një rol aktiv:
“Ne vlerësojmë që vendimi i GJKKO, i dhënë për Festim Bexhdilin, duhet të lihet në fuqi si vendim i mbështetur në ligj dhe prova. I pandehuri duhet të deklarohet fajtor sa i përket veprave penale që kemi ngritur për të. Rrëmbimi ka qenë i paralajmëruar sepse viktima është ndjekur disa ditë radhazi. Kompleksi ‘Golden’ ka qenë i paracaktuar nga ana e tyre. I pandehuri, ditën e ngjarjes, ka pasur një vendndodhje të ndryshme nga kompleksi deri të paktën në orën 10:57, ku ka hyrë në drejtim të Shijakut. Ai është gjendur në kompleks, referuar pamjeve filmike, në orën 11:19 dhe shkon në drejtim të një garazhi, më pas shfaqet duke pasur një vëmendje të shtuar ndaj aparatit celular. Ai shfaqet duke pritur në derën hyrëse të garazhit. Në këtë derë më pas futet makina Audi A6 që i përket Altin Hajrit.
Kjo mënyrë ndërveprimi tregon që ata kanë pasur dijeni dhe secili prej të pandehurve drejtohet drejt kompleksit për të kryer rolet e tyre. Altin Hajri shfaqet në 11:27, ndërsa në 11:36 vjen mjeti i autorëve. Veprimet e kryera tregojnë bindshëm që Festim Bexhdili ka pasur dijeni për ngjarjen.
Në tërësinë e provave, ne vlerësojmë se i pandehuri ka pasur rol aktiv në ngjarje, ndaj vendimi me burgim të përjetshëm është proporcional. I pandehuri nuk ka shprehur as pendesë, nuk i ka kërkuar falje familjarëve, ka mbajtur vetëm qëndrim mohues, jo sqarues.”
Në një qëndrim të ndryshëm, prokurori Behar Dibra kërkoi rikualifikim të veprës penale dhe dënimin e Bexhdilit me 20 vite burg:
“Në respekt të koleges dhe duke qenë dakord për parashtrimet që bëri, kam një vlerësim ndryshe për elementët e fajësisë së të pandehurit.
Fakti është që vepra penale ‘mbajtja peng e Jan Prengës’ është pasojë e një aktiviteti të kryer në Angli nga një i pandehur tjetër që është në një procedim tjetër. Prezenca e Festim Bexhdilit brenda në kompleks në orën 12:15 mund të ketë qenë për arsye të punëve të tij. Ai është kushëri i Altin Hajrit dhe punonte në kompleks.
Nuk ka asnjë provë që Festim Bexhdili njihte Aldo Majnishtën, Korado Geshtenjën, Dritan Rexhepin etj. Në orën 18:49 Festim Bexhdili ndihmon Majnishtën dhe Martin Bletën të nxirrnin Jan Prengën nga bagazhi i makinës dhe më pas e zhvendosin në një automjet tjetër. Në automjetin ku u fut trupi hipin Altin Hajri, Geraldo Martini, Aldo Majnishta e të tjerë, dhe më pas automjeti rikthehet sërish në kompleks pa trupin e Jan Prengës. Trupi tashmë ishte fshehur.
Nuk ka prova të gjetjes fizike të Jan Prengës, nuk mund t’i kërkojmë të pandehurit të thotë diçka që ai mbase nuk e di.”
Në seancë u dëgjua edhe vetë Festim Bexhdili, i cili vijoi të mohojë përfshirjen e tij:
“Jam dakord me çfarë kam thënë në shkallë të parë. Nuk jam dakord as me pengmarrjen, as me vrasjen. Kam qenë aty, nga frika kam marrë trupin. Kushdo të ishte ashtu do bënte dhe prokuroria. Jam hallexhi, isha në punë, u gjenda aty. Ishalla bëhet drejtësi.”
Mbrojtja, përfaqësuar nga avokati Ilir Murati, kërkoi pafajësinë e klientit të tij, duke theksuar mungesën e provave:
“Gjykata e Lartë e prishi këtë vendim. Prokuroria ka qëndrim të dyzuar. Thotë se ai ka pasur telefon, por nuk e kemi hapur dot. Kishte Encro, por s’gjetëm gjë. Zoti gjyqtar, duhen prova. E vërteta e Festimit është që u ndodh në atë ambient dhe bëri ato veprime. Përkrahu autorët, nuk kallëzoi krimin… Së fundmi, dënimi i Festim Bexhdilit ka bërë jehonë edhe për vetë ata aty.”
Vendimi përfundimtar në rigjykim pritet të jepet në seancat e ardhshme.