Sitet tona kulturore kanë tërhequr vëmendjen e më shumë se 569,000 vizitorëve gjatë periudhës janar-qershor 2025, duke shënuar një rritje prej 74% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Në krye të destinacioneve më të vizituara qëndron Parku Arkeologjik i Butrintit, me 105,623 vizitorë, ndjekur nga Kalaja e Gjirokastrës, Parku Arkeologjik i Shkodrës, Muzeu “Gjergj Kastrioti” në Krujë dhe Parku i Apollonisë.
Butrinti, që ndodhet vetëm 20 km larg Sarandës, mbetet magnet për turistët vendas dhe të huaj, falë natyrës mbresëlënëse dhe trashëgimisë së pasur historike.
Aktualisht, në Butrint po zhvillohen sondazhe arkeologjike në kuadër të projektit për ndërtimin e “Qendrës së Vizitorëve”, një iniciativë që synon përmirësimin e përvojës turistike dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Parku shtrihet në një zonë prej 15 hektarësh, ndërsa qyteti antik zë një hapësirë mbi 2900 hektarë. Me një pozicion strategjik të mbrojtur natyralisht mes liqenit të Butrintit dhe kanalit të Vivarit, ai ka qenë ndër qendrat më të rëndësishme të qytetërimeve mesdhetare.
Sot, Parku ofron 15 zona të vizitueshme që përfaqësojnë periudha të ndryshme historike, nga shekulli IV para Krishtit deri në shekullin XVI pas Krishtit. Arkitektura romake, statujat e August Oktavianit, Agripas, Livia Drusilas, Serapisit dhe të tjerë dëshmojnë për një qytet dikur të rëndësishëm në hartën e Perandorisë Romake, i njohur me emrin “Colonia Augusta Buthrotum”.
Zbulimet e para arkeologjike në këtë qytet nisën në vitin 1928 me Misionin Italian, ndërkohë që vetëm një pjesë e vogël e pasurisë që ndodhet nëntokë është sjellë në dritë. Sot, vizitorët mund të shëtisin mes 15 strukturave arkeologjike që përfshijnë periudha nga antikiteti deri në mesjetën e vonë.
Përveç vlerave arkeologjike dhe historike, Butrinti është i pasur në biodiversitet, me 800 lloje bimësh, 246 lloje zogjsh, 105 lloje peshqish dhe 39 lloje gjitarësh, duke e kthyer këtë park në një destinacion të veçantë ku natyra dhe historia bashkëjetojnë në mënyrë harmonike.