Një atmosferë magjike dhe shpirtërore ka mbushur Tiranën mbrëmjen e kaluar, me çeljen zyrtare të Javës Kulturore Egjiptiane.
Aktiviteti nisi me një nga simbolet më hipnotizuese të traditës artistike të këtij vendi vallëzimin tanoura, një performancë sufi që ndërthur besimin, ritmin dhe artin vizual në një shfaqje mbresëlënëse.
Ambasadori i Egjiptit në Shqipëri, Hassan Shawky, theksoi rëndësinë e kësaj jave kulturore si një dëshmi e lidhjeve të thella mes dy vendeve: “Kjo javë kulture reflekton marrëdhëniet miqësore të rrënjosura thellë mes Egjiptit dhe Shqipërisë, të lidhura nga gjeografia, historia dhe kultura. Këtë vit ne jemi të lidhur edhe nga Alexandria dhe Tirana, pasi të dy qytetet janë kryeqendra mesdhetare të kulturës dhe dialogut. Për këtë javë kemi zgjedhur tre aktivitete të veçanta.”
Gjatë gjithë javës do të zhvillohen një sërë aktivitetesh artistike, nga vallëzimi tradicional dhe performanca skenike, te kuzhina autentike egjiptiane dhe kinematografia bashkëkohore.
“Kultura mes dy vendeve tona është e lidhur përmes historisë, por edhe gjeografisë, pasi na lidh Mesdheu. Kemi shumë gjëra të përbashkëta që na bashkojnë dhe shpresojmë t’i prezantojmë përmes këtyre aktiviteteve.”, shtoi ambasadori Shawky.
Vallëzimi tanoura do të rikthehet sërish për publikun shqiptar këtë të mërkurë në sheshin “Skënderbej”, në një ambient të hapur, si dhe më 10 korrik në sallën “Tonin Harapi”.
Artisti Mahdy Emara, pjesë e trupës që realizon performancën, shpjegon kuptimin shpirtëror të këtij vallëzimi: “Është një vallëzim tradicional mysliman, ku burri rrotullohet rreth vetes që të lidhet me Zotin. Ai përpiqet të largojë nga vetja të gjitha gjërat materiale dhe të lartësohet drejt Zotit, por në fund bie përtokë, se të gjithë njerëzit i përkasin tokës.”
Të premten, atmosfera e Egjiptit do të pasqyrohet edhe përmes aromave dhe shijeve në festivalin e ushqimit egjiptian që do të mbahet në hollin hyrës të Piramidës.
Vizitorët do të kenë mundësinë të shijojnë specialitete tradicionale si koshari apo ëmbëlsira të njohura si basbousa. “Ushqimi egjiptian nuk është larg kuzhinës shqiptare, çka reflekton se sa të thella janë lidhjet tona edhe sa i përket ushqimit,” thekson ambasadori Shawky.
Javës kulturore do t’i shtohen edhe dy filma për të pasionuarit pas kinemasë: “The Blue Elephant”, një thriller psikologjik që ka bërë bujë në kinemanë arabe, dhe “Diamond Dust”, një histori ngjarjesh të errëta dhe hakmarrjeje, me në qendër një farmacist që përpiqet të zbulojë të vërtetën pas vrasjes së babait të tij.