Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 16 vatra zjarri në disa bashki të vendit, ndërsa katër prej tyre vijojnë të jenë aktive.
Zjarret janë evidentuar në territorin e bashkive Vlorë, Finiq, Vau i Dejës, Poliçan, Dimal, Skrapar, Bulqizë, Dibër, Kavajë, Tiranë, Korçë, Librazhd, Fier, Kurbin dhe Kukës, duke shkaktuar dëme kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre dhe barishte. Në total, llogariten rreth 24 hektarë të djegura.
Një ndër vatrat më problematike mbetet ajo në Orikum, në zonën e quajtur “Sotiran”, mes fshatrave Tragjas dhe Dukat.
Zjarri ka përfshirë një terren të vështirë në lartësi mali, të mbuluar me shkurre dhe ferra. Situata është mbajtur nën vëzhgim gjatë natës, ndërsa në terren po punojnë forca zjarrfikëse, ushtarake dhe pyjore, të mbështetura nga helikopteri “Cougar”.
Në Poliçan, zjarri është përhapur me shpejtësi në fshatin Zgërbonjë, si pasojë e erës së fortë dhe temperaturave të larta. Ndërhyrja në kohë bëri të mundur eliminimin e rrezikut për banesat. Edhe në Bulqizë, në zonën e njohur si “Livadhi i Peladhisë”, zjarri ka prekur një sipërfaqe pyjore me pisha dhe dëllinja.
Janë evidentuar tre vatra të ndara, por intensiteti është i ulët dhe situata konsiderohet e kontrolluar.
Në Dibër, flakët kanë përfshirë një zonë të Parkut Kombëtar Lurë, konkretisht në vendin e njohur si “Liqeni i Luleve”. Për shkak të erës së fortë, zjarri është përhapur shpejt dhe ka rrezikuar pjesë të rëndësishme të parkut, megjithatë aktualisht nuk ka kërcënim për zonat e banuara.
Ndërkohë janë raportuar edhe dy ngjarje të tjera të rënda. Në fshatin Ndroq të Tiranës, një banesë dykatëshe është përfshirë nga zjarri, ndërsa në Fier, në fshatin Mbrostar, flakët kanë përfshirë një hangar me bazë ushqimore për bagëti, duke shkaktuar ngordhjen e rreth 75 deleve dhe dëmtime të lehta të pronarit. Shkaku i zjarrit në këtë rast mbetet ende i paqartë.
Në përballje me zjarret, janë angazhuar 31 automjete zjarrfikëse dhe 268 forca, përfshirë 60 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy automjete zjarrfikëse ushtarake, ndërsa në dy vatra po operon edhe helikopteri “Cougar”.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta në qarqet Shkodër dhe Lezhë, ndërsa në zonat e tjera reshjet do të jenë të shpërndara dhe me intensitet të ulët.
Sa i përket rrezikut nga zjarret, niveli konsiderohet i ulët në qarkun Shkodër, i moderuar në Kukës, dhe i lartë në pjesën tjetër të vendit.
Strukturat e Mbrojtjes Civile mbeten në gatishmëri të plotë, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, për të monitoruar situatën dhe ndërhyrë sa herë të jetë e nevojshme, me qëllim mbrojtjen e jetës dhe minimizimin e dëmeve në mjedis.