Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 19 vatra zjarri në disa bashki të vendit, ndërsa 6 prej tyre vijojnë të jenë ende aktive.
Zjarret janë përhapur kryesisht në zona me shkurre, barishte dhe pemëtari, duke shkaktuar djegien e rreth 65 hektarëve sipërfaqe me bimësi.
Vatrat ende aktive ndodhen në këto zona:
• Elbasan – Në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, ku po vijojnë përpjekjet për shuarjen e plotë të flakëve pas izolimit të vatrës ditën e djeshme nga forcat operacionale.
• Finiq (Sarandë) – Në zonën mes fshatrave Grazhdan (njësia Livadhja) dhe Malçan (njësia Dhivër), zjarri vijon të jetë aktiv në pjesën lindore të fshatit Leshnicë e Poshtme, megjithatë nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Forcat e MZSH dhe Forcat e Armatosura kanë qëndruar gjatë natës për monitorim.
• Vlorë – Në zonën “Sotiran” ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat (njësia Orikum), zjarri mbetet aktiv në tre vatra të shpërndara. Terreni i vështirë pengon ndërhyrjen, por situata nuk konsiderohet kritike.
• Poliçan – Në fshatin Zgërbonjë (njësia Vërtop), zjarri mbetet aktiv. Në terren ndodhen 10 efektivë zjarrfikës dhe 5 forca bashkiake. Deri më tani janë përfshirë rreth 50 hektarë sipërfaqe.
• Bulqizë – Në zonën “Livadhi i Peladhisë”, njësia Zerqan, zjarri është përhapur gjatë natës për shkak të erës dhe temperaturave të larta, duke avancuar drejt “Malit të Bardhë”. Në operacion janë angazhuar 1 automjet zjarrfikës, 11 efektivë, 5 forca pyjore dhe 10 forca bashkiake.
• Malësi e Madhe – Në “Bjeshkët e Parrusë” (njësia Shkrel), ka pasur riaktivizim të një vatre ekzistuese. Në terren ndodhen 6 efektivë të MZSH, 5 forca bashkiake, 5 nga shërbimi pyjor dhe 8 vullnetarë.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 37 automjete zjarrfikëse dhe 362 forca operacionale. Gjithashtu, në operacionet e djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 104 efektivë, 6 automjete zjarrfikëse, një pompë thithëse dhe një traktor me zinxhirë.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot parashikohet rrezik i lartë për zjarre pothuajse në të gjitha qarqet. Në qarkun Durrës, rreziku klasifikohet si “i moderuar”, me disa zona lokale me rrezik të lartë, kryesisht në jug të qarkut.
Thirrje për qytetarët:
Sistemi i Mbrojtjes Civile mbetet në gatishmëri të plotë dhe ndjek nga afër situatën. Autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar:
• Të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura;
• Të mos digjin mbeturina;
• Të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr;
• Të njoftojnë menjëherë autoritetet në rast rreziku.