Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të zëvendësojë masën e arrestit në shtëpi për Jamarbër Malltezin me garanci pasurore.
Vendimi vjen pas gati dy vitesh që dhëndri i Sali Berishës mbahej në masë sigurie, prej arrestimit të tij më 21 tetor 2023 në kuadër të hetimeve për çështjen e njohur si “dosja Partizani”.
Gjykata ka caktuar një garanci prej 3 milionë lekësh si kusht për lirimin. Paralelisht, është rrëzuar edhe kërkesa për dorëheqje nga çështja e gjyqtares Elsa Ulliri, e cila do të vijojë të shqyrtojë dosjen.
Malltezi, së bashku me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi, përballet me akuza të ngritura nga SPAK për privatizimin e kompleksit “Partizani” në Tiranë.
Berisha akuzohet për korrupsion pasiv, ndërsa Malltezi dhe Bektashi për korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Sipas organit të akuzës, Malltezi ka përfituar në mënyrë të parregullt 5.4 milionë euro nga një projekt ndërtimi, i mundësuar përmes vendimeve të qeverisë gjatë kohës kur Berisha drejtonte ekzekutivin.
Pas lirimit, Malltezi doli në një deklaratë për media, ku e cilësoi procesin si një farsë politike, e orkestruar, sipas tij, nga kryeministri Edi Rama dhe me mbështetjen e diplomatëve ndërkombëtarë.
Ai akuzoi SPAK-un për hetime të motivuara politikisht dhe përtej çdo norme ligjore, duke deklaruar se janë hetuar deri pesë breza të familjes së tij, përfshirë edhe dokumente që datojnë 90 vite më parë.
“Kemi të bëjmë me një proces të ndotur politikisht. Hetimet nisën me urdhër të drejtpërdrejtë të Edi Ramës dhe më pas u shndërruan në një hakmarrje institucionale. Deri te firma e stërgjyshit tim kanë shkuar,” deklaroi ai.
Dosja për aferën “Partizani” kaloi për gjykim më 19 maj, vetëm pak ditë pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 majit.