Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës në fshatin Markat të bashkisë Konispol, ku një 44-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri.
Sipas të dhënave paraprake, i plagosuri, Saimir Haxhi, dyshohet se ka qenë në tentativë për të vjedhur në një banesë të zonës kur është qëlluar, ndoshta nga pronari i shtëpisë apo persona të tjerë të pranishëm.
Ai ka marrë plagë në pjesën e pasme të trupit, duke u goditur me armë gjahu.
Burime nga policia bëjnë me dije se Haxhi është një person me precedentë penalë. Fillimisht, ai u transportua në spitalin e Sarandës për ndihmë të parë, por për shkak të gjendjes shëndetësore u dërgua më pas në spitalin e Vlorës për trajtim të specializuar.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të sqaruar rrethanat dhe për të identifikuar autorin e të shtënave.
Njoftimi i Policisë:
Sarandë/Informacion paraprak
Më datë 07.07.2025, rreth orës 03:45, është paraqitur në spitalin e Sarandës shtetasi S. H., 44 vjeç, banues në fshatin Markat, i dyshuar i dëmtuar me armë gjahu në këmbë, jashtë rrezikut për jetën. Ky shtetas ka deklaruar se është qëlluar aksidentalisht në këmbë nga një gjuetar i paidentifikuar, në zonën ndërmjet fshatrave Shalës–Vagalat, Bashkia Konispol.