Një autobus i kompanisë FlixBus, me destinacion Vjenën nga Kopenhageni, ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në autostradën A19, pranë kryqëzimit Röbel, në drejtim të Berlinit, në Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, Gjermania veriore.
Në bord ndodheshin 53 pasagjerë dhe dy shoferë, ndërsa 20 persona janë lënduar, mes tyre një në gjendje kritike, sipas informacioneve të konfirmuara nga policia gjermane.
Pasagjeri në gjendje të rëndë kishte mbetur i bllokuar për më shumë se dy orë brenda autobusit, përpara se të nxirrej nga ekipet e shpëtimit.
Sipas raportimeve, autobusi fillimisht ka dalë nga rruga në anën e djathtë, përpara se të humbiste ekuilibrin dhe të përmbysej, por shkaku i saktë i aksidentit mbetet ende i panjohur.
Hetimet janë në zhvillim për të përcaktuar nëse ngjarja është shkaktuar nga ndonjë gabim njerëzor, defekt teknik apo kushte të pafavorshme rrugore.
Autoritetet gjermane dhe ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje për të ndihmuar të plagosurit dhe për të garantuar sigurinë në zonën e aksidentit.