Skip to content
Kryesore

Zjarri në Landfillin e Elbasanit, përfshihen forcat e armatosura dhe ndërhyrje nga ajri

· 2 min lexim

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi se situata në landfillin e Elbasanit, i përfshirë nga flakët, mbetet ende e paqëndrueshme dhe po monitorohet nga afër nga strukturat vendore dhe qendrore të emergjencave.

Në terren janë angazhuar mbi 100 forca nga Bashkia Elbasan, bashkitë fqinje dhe Forcat e Armatosura, të mbështetura me 10 mjete zjarrfikëse dhe 20 mjete të specializuara për ndërhyrje.

Operacioni për shuarjen e flakëve mbështetet edhe nga ajri, ndërkohë që ekipet e specializuara të ushtrisë po kryejnë matje të vazhdueshme për të vlerësuar nivelin e ndotjes dhe rrezikshmërinë për mjedisin dhe komunitetin përreth.

Agjencia thekson se aktualisht forcat xheniere dhe mjetet e rënda po punojnë paralelisht për të mbuluar vatrën e zjarrit, ndërsa pompat me kapacitet të lartë po dërgojnë ujë në pikën aktive të djegies për të përshpejtuar izolimin dhe neutralizimin e flakëve.

Njoftim për shtyp i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile:

Prej më shumë se 72 orësh, vijon puna intensive për izolimin e vatrës së zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane të Bashkisë Elbasan. Situata mbetet dinamike dhe nën vëzhgim të vazhdueshëm nga strukturat e emergjencave vendore dhe qendrore.

Në terren po operohet me mjete të shtuara dhe më shumë se 100 forca të angazhuara nga Bashkia Elbasan dhe bashkitë fqinje sikundër dhe nga Forcat e Armatosura.

Ndërhyrja është përqendruar në izolimin dhe shuarjen e zjarrit me 10 mjete zjarrfikëse dhe 20 mjete të specializuara.

Aktualisht mjetet e rënda vetshkarkuese dhe forcat xheniere po punojnë njëkohësisht për mbulimin e vatrës, ndërkohë që pompa thithëse me kapacitet të lartë mundësojnë hedhjen e ujit direkt në vatrën aktive.

Gjithashtu, operacioni mbështetet nga ndërhyrja ajrore, ndërsa në terren ndodhet ekipi i ekspertëve të Forcave të Armatosura, të cilët po kryejnë matje të vazhdueshme të nivelit të ndotjes dhe rrezikshmërisë mjedisore.

Autoritetet vendore dhe qendrore mbeten të angazhuara për të garantuar sigurinë e komunitetit dhe për të minimizuar ndikimin në mjedis. Publiku do të vijojë të informohet rregullisht mbi zhvillimet më të fundit.