Po zhvillohet sot në Gjykatën e Posaçme seanca për dosjen “5D”, ku ka dëshmuar ish-pronari i kompanisë “IGOR Electric”, Eduard Meta.
Në dëshminë e tij, Meta ka shpjeguar arsyet pse vendosi të shesë kompaninë për një çmim simbolik.
Ai ka pohuar se e ka shitur kompaninë për vetëm 75 lekë, përkatësisht 75% të aksioneve sepse, sipas tij, donte ta “hiqte qafe” dhe të niste një sipërmarrje të re në një tjetër fushë.
“Doja ta largoja nga vetja, nuk e doja më. Ia dhashë Petrit Muhametit, që ka kompaninë ‘VAS Konstruksion’. Shkuam te noteri dhe ia kalova aksionet, gjithçka sipas ligjit. U mor avokati me procedurat. Kisha ndërmend të hapja një palestër, prandaj e lashë pas kompaninë”, ka deklaruar Meta.
Ai ka treguar edhe rreth marrëdhënieve me persona të përfshirë në dosje: “Nestori erdhi përmes Redit, e njihja nga lokali kur shihnim ndeshje bashkë. Redin e kisha njohur më parë, ishim në një grup te lagjja, pinim ndonjë birrë dhe shihnim futboll. Mariglenin e kam njohur që në 2005 ose 2006. Me Alfred Qaton dhe Mariglenin kam qenë shok. Edhe Taulant Tushën e njihja, rrinte te lokali. Por me ta nuk kam folur për IGOR Electric. Ndoshta ndonjë bisedë e përditshme, por jo ndonjë gjë konkrete”.
Në një moment tjetër të dëshmisë, Meta ka përmendur se kompania kishte borxhe dhe fatura të pashlyera, por ka këmbëngulur se nuk kishte kredi bankare të hapura.
“Kredi nuk kishte. I mbyllja gjithmonë në fund të vitit. Bilanci dilte pozitiv”, tha ai.