Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Fier ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me aksionin e zhvilluar në kompaninë Bankers Petroleum Albania Ltd.
Hetimet, të nisura nga Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe ndjekur për rreth gjashtë muaj nga organi i akuzës, zbuluan një skemë mashtruese që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit dëme të mëdha.
Sipas Prokurorisë, kompania ka deklaruar humbje për 20 vite me radhë, duke shmangur detyrimet tatimore, edhe pse në periudhën 2004–2024 ka shitur dhe eksportuar karburant në vlerë prej mbi 532 miliardë lekësh.
Gjatë këtyre viteve, Bankers deklaroi humbje totale prej rreth 11.7 miliardë lekësh, ndërkohë që përfitimi i paligjshëm i TVSH-së dyshohet të jetë në miliona euro.
Gjatë aksionit u lëshuan 14 masa sigurimi; 9 prej tyre u ekzekutuan, ndërsa 5 persona u shpallën në kërkim, kryesisht shtetas të huaj.
Në pranga përfunduan drejtuesi kryesor i kompanisë, Hongping Xiao, si dhe ish-drejtori Leonidha Çobo, si dhe disa zyrtarë të tjerë me pozicione drejtuese.
Hetimet kanë zbuluar se për të fshehur të ardhurat reale dhe për të shmangur pagesën e tatimeve, Bankers ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet dhe ka falsifikuar dokumente financiare, duke realizuar operacione të dyshimta me operatorë brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Kjo ka bërë që për 20 vite rresht shteti të mos marrë asnjë të ardhur nga ky aktivitet, pavarësisht se në zonat e Patos-Marinezë-Fier janë nxjerrë dhe tregtuar sasi të konsiderueshme nafte.
Hetimi vijon, pasi dyshimet për skema mashtrimi, pastrim parash dhe shmangie tatimore përfshijnë edhe individë dhe kompani të tjera.
Përveç drejtuesve të arrestuar, katër shtetas kinezë të emëruar nga kompania mëmë janë shpallur në kërkim, ndërsa katër të tjerë janë në arrest shtëpie.
Arrestimi i ish-drejtorit Çobo tregon se hetimet shtrihen edhe në periudhën para vitit 2016, kur kompania ishte nën menaxhim kanadez.
Pavarësisht operacionit, aktiviteti i Bankers në fushat naftëmbajtëse të Patos-Marinezës vazhdon normalisht. Kompania pritet të bëjë një deklaratë zyrtare, ndërsa Prokuroria do të informojë më tej mbi zhvillimet dhe masat e marra ndaj personave të përfshirë.