Një zjarr i përmasave të mëdha ka shpërthyer në landfillin e Elbasanit dhe po vazhdon prej më shumë se 18 orësh, duke mbuluar qytetin me një re të dendur tymi dhe erë të rëndë që vjen nga djegia e mbeturinave.
Edhe pse flakët janë izoluar brenda territorit të fushës së mbetjeve, disa vatra mbeten ende aktive.
Era e fortë po e vështirëson ndërhyrjen, ndërsa përhapja e tymit toksik në zonat e banuara përreth ka ngritur në alarm qytetarët. Ata shprehen të revoltuar dhe të pafuqishëm përballë ndotjes së vazhdueshme që, sipas tyre, është bërë e padurueshme.
“Prej dy ditësh nuk hapim dot dritaret. Kemi nevojë për ajër, jemi pleq, por janë edhe fëmijët, të rinjtë… të gjithë po thithim helmin e plehrave,” shprehet një banore e zonës.
“Këtu ka qenë Metalurgjia, tani na sollën edhe mbetjet. Çdo verë ndizet zjarri, tym e erë e padurueshme. Fryma na është bllokuar. Nuk kemi ku të ikim,” shton një tjetër.
Në terren janë angazhuar 12 mjete zjarrfikëse dhe rreth 60 efektivë, ndërsa mbi masën e djegur po hidhet zhavorr për të frenuar përhapjen e flakëve.
Autoritetet deklarojnë se banesat nuk janë në rrezik të menjëhershëm, por zjarri mbetet i vështirë për t’u shuar për shkak të sasisë së madhe të mbetjeve plastike të depozituara në landfill.