Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thirrur një tjetër raund takimesh me liderët e partive politike, në përpjekje për të zgjidhur ngërçin institucional që ka paralizuar konstituimin e Kuvendit.
Kjo është hera e dytë që Osmani mbledh krerët politikë, por ndryshe nga hera e parë, kësaj radhe takimet do të zhvillohen individualisht me secilin prej tyre.
Takimet do të ndahen në dy ditë: të mërkurën me liderët e partive shqiptare dhe të enjten me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.
Deri tani, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar Albin Kurti, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj.
Kosova vijon të jetë në një krizë të thellë institucionale, pas dështimeve të njëpasnjëshme për të konstituuar Kuvendin, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese që kërkon përmbylljen e këtij procesi brenda një afati 30-ditor.