Zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve pranë Inceneratorit të Elbasanit vijon të aktiv edhe sot, duke djegur mbetjet urbane të shtatë bashkive që shfrytëzojnë këtë landfill.
Vatra dyshohet se është ndezur qëllimisht të martën pasdite, rreth orës 15:00.
Flakët e fuqishme dhe re të dendura tymi kanë mbuluar zonën, duke ndotur rëndë ajrin dhe duke rrezikuar seriozisht banesat përreth.
Era dhe temperaturat e larta kanë përshpejtuar përhapjen e tymit helmuese, duke e kthyer situatën në një emergjencë mjedisore dhe shëndetësore.
Sipas autoriteteve, ndërhyrja nga toka dhe ajri ka qenë e vazhdueshme, por përmasat e zjarrit dhe thellësia e masës së mbetjeve e kanë bërë të vështirë fikjen e plotë të vatrës.
Pas më shumë se 10 orësh përpjekjesh, zjarri mbetet aktiv në brendësi të landfillit, ndërsa re tymi vijojnë të shpërndahen mbi qytet.
Në të njëjtën ditë, Elbasani është përballur me katër vatra të tjera zjarri, përfshirë një kodër me ullishte në fshatin Balëz. Qindra rrënjë ullinj shekullorë janë shkrumbuar. Terreni i thyer dhe kushtet ekstreme klimatike e bënë të pamundur ndërhyrjen nga toka, duke detyruar përdorimin e helikopterëve të ushtrisë për të shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Për të përballuar situatën kritike janë angazhuar mbi 100 forca operacionale, 15 mjete zjarrfikëse dhe mbështetje nga bashki të tjera si Tirana, Kamza dhe Berati.
Drejtori i Përgjithshëm i Zjarrfikëses, Arben Cara, theksoi se ndërhyrja në landfille mbetet një nga operacionet më të vështira për shkak të materialeve të djegshme dhe nxehtësisë së brendshme të grumbullimeve.
Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes dhe bashkëpunim, ndërsa hetimet për shkaqet e mundshme të zjarrvënies së qëllimshme janë në proces.