Një organizatë kriminale që operonte në Kretë dhe në Greqinë Veriore, e përfshirë në importin ilegal të sasisë së madhe të municioneve nga Shqipëria, është goditur nga një operacion i kordinuar policor i zhvilluar paralelisht në Hanian dhe Kostur.
Policia Helenike njoftoi se gjatë këtij operacioni u arrestuan katër persona, përfshirë edhe një shtetas shqiptar, ndërsa u ngritën padi për organizatë kriminale dhe shkelje të ligjit për armët.
Hetimet zbuluan se që nga prilli 2025, anëtarët e kësaj organizate ishin bashkuar me një grup tjetër kriminal me qëllim importimin dhe shpërndarjen e paligjshme të sasisë së madhe të municioneve në zonat e Kretës.
Ata vepronin duke mbledhur porosi për fishekë, të cilat më pas i siguronin nga një furnizues anonim në Shqipëri.
Tre prej anëtarëve udhëtonin me rrugë tokësore drejt kufirit, duke përdorur dy automjete, përfshirë një kamion të modifikuar në mënyrë të veçantë për fshehjen e municioneve.
Municionet transportoheshin nga Shqipëria për në Kretë përmes rrugëve tokësore dhe linjave detare, ku më pas shpërndaheshin në treg.
Në organizatë, rolet ishin të ndara qartë: një 65-vjeçar, themeluesi i grupit, menaxhonte porositë dhe mbikëqyrte marrjen e municioneve, si dhe merrej me shitjen në Kretë, një 72-vjeçar kishte krijuar vendin e fshehjes së municioneve brenda kamionit dhe drejtonte automjetin që transportonte armët, një 73-vjeçar ishte shoferi i kamionit që bënte udhëtimin deri në kufi dhe kthehej në Kretë, ndërsa një 41-vjeçar shqiptar sigurohej për furnizimin me municione nga bashkëkombësi i tij dhe i dorëzonte ato anëtarëve të tjerë të organizatës në Greqi.
Për të shmangur zbulimin nga autoritetet, anëtarët e organizatës përdornin mjete vetëmbrojtëse të rrepta: përdornin një kamion që i përkiste personave të ndjerë (mjeti u sekuestrua dhe po hetohet mënyra e marrjes së tij), të cilin e modifikuan për fshehjen e municioneve, çaktivizonin telefonat celularë gjatë transportit,,dhe përdornin dokumente false për lëshimin e biletave të trageteve.
Gjatë operacionit, policia në Kretë arrestoi 65-vjeçarin, 72-vjeçarin dhe 73-vjeçarin gjatë një kontrolli në kamion, ku u gjetën mbi 24,000 fishekë të fshehur në magazinën speciale të automjetit.
Ndërkohë, në Kostur, policia arrestoi edhe 41-vjeçarin shqiptar. Në vijim të hetimeve, në Kretë u arrestua edhe një 30-vjeçar që kishte blerë fishekë nga anëtari kryesor i organizatës.
Nga kontrollet në automjete dhe banesa u sekuestruan gjithsej 24,126 fishekë, një pushkë luftarake, 900 euro cash, si dhe motoçikletë, kamion dhe makinë pasagjerësh. Vlen të përmendet se 65-vjeçari kishte qenë arrestuar edhe në vitin 2019 për një rast të ngjashëm dhe i ishin vendosur masa kufizuese.
Të gjithë të arrestuarit do të përballen me organet kompetente të drejtësisë, ndërsa municionet dhe arma e sekuestruar do të analizohen më tej nga ekspertët.