Gjykata e Lartë ka refuzuar rekursin e ish-gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu, lidhur me vendimin e Apelit të GJKKO-së që dy muaj më parë i kishte hedhur poshtë kërkesën për lirimin nga burgu.
Fetahu pretendonte në kërkesën e saj gjendjen e rënduar shëndetësore si arsye për lirimin, por kjo nuk u pranua nga gjykata.
Ish-gjyqtarja akuzohet si anëtare e grupit kriminal të drejtuar nga Suel Çela. Përmes avokatit, ajo kërkoi që paraburgimi të shpallej i pavlefshëm, por kjo kërkesë nuk u mor parasysh.
Operacioni i SPAK
Në fund të vitit 2024, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar goditi rrjetin kriminal të Suel Çelës, duke shpallur 21 masa sigurie për persona të lidhur me këtë organizatë, përfshirë ish-zyrtarë të drejtësisë, policisë dhe dy gazetarë. Hetimet zbuluan dy raste të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.
SPAK njoftoi se paratë e përfituara nga ky trafik narkotik përdoreshin për të financuar eliminimin e kundërshtarëve në Elbasan. Për të mbrojtur interesat e veta, banda arriti të korruptonte zyrtarë të sistemit të drejtësisë, policisë dhe medias.
Hetimet ndërkombëtare të kryera në bashkëpunim me autoritetet në Belgjikë, Francë dhe Ekuador zbuluan se paratë kesh nga trafiku silleshin në Shqipëri dhe investoheshin në biznese që dukeshin të ligjshme.