Një 23-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në fshatin Barbullush, si rezultat i operacionit të koduar “Operacionalja 49”, i zhvilluar nga Forca e Posaçme Operacionale në bashkëpunim me rrjetin ENFAST dhe drejtësinë italiane.
I arrestuari është shtetasi Ergys Arrnjeti, i cili kërkohej nga Gjykata e L’Aquilas për përfshirje në trafikim të lëndëve narkotike, në kuadër të një organizate kriminale. Për këtë vepër, sipas Kodit Penal italian, parashikohet një dënim deri në 24 vite burgim.
Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” nga autoritetet italiane, ndërsa procedurat për ekstradimin drejt Italisë janë tashmë në proces.
Arrestimi vjen si pjesë e angazhimeve të përbashkëta për kapjen dhe dorëzimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.