Seanca gjyqësore për dosjen “Plumbi i Artë” në GJKKO është shoqëruar me tensione dhe përplasje të forta mes trupës gjykuese dhe avokatëve të të pandehurve.
Shkak u bë kërkesa e mbrojtjes për të marrë në dorëzim 6 procesverbale të deklarimeve të mëparshme të të penduarit Erion Alibej, dokumente që, sipas avokatëve, janë të domosdoshme për përgatitjen e pyetjeve ndaj tij.
Avokatët deklaruan se nuk e kishin në dispozicion këtë dokumentacion, ndërsa prokurorët argumentuan se procesverbalet lidhen me çështje të tjera penale dhe nuk kanë vlerë për këtë proces gjyqësor konkret.
Përplasjet verbale agravuan situatën në sallë, duke çuar në largimin e katër avokatëve nga seanca, të cilëve më pas iu bashkuan edhe të pandehurit.
Si reagim ndaj kësaj sjelljeje, gjykata vendosi t’i gjobisë katër avokatët me nga 30 mijë lekë secilin. Seanca e radhës është caktuar për datën 1 korrik.
Dosja “Plumbi i Artë” përfshin një sërë krimesh të rënda, përfshirë vrasje, atentate të dështuara dhe grabitje me dhunë. Ajo është ndërtuar kryesisht mbi dëshmitë e Nuredin Dumanit, një nga bashkëpunëtorët kyç të drejtësisë, i cili ka pranuar përfshirjen e tij në dhjetëra krime gjatë dhjetë viteve të fundit dhe ka zbuluar detaje për vrasje të porositura me pagesa deri në 200 mijë euro. Procesi mbetet një nga më të rëndësishmit në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri.