Detaje të reja kanë dalë në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi mëngjesin e së premtes në Fushë-Krujë, ku një lokal në pronësi të Mondi Vogës u qëllua me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.
Sipas burimeve të hetimit, autorët dyshohet të kenë qëlluar nga një kodër përballë ndërtesës, gjë që e ka bërë të pamundur regjistrimin e tyre nga kamerat e sigurisë.
Fasada e lokalit, veçanërisht kati i parë ku funksiononte lokali, është e mbushur me shenja plumbash.
Djali i Vogës ndodhej në katin e dytë të godinës, që funksiononte edhe si hotel, dhe po flinte në një dhomë përballë vendit nga ku dyshohet se u qëllua.
Në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24, babai i Mondi Vogës ka ndarë detaje nga ngjarja dhe ka shprehur dyshimet e tij.
Ai u shpreh: “Djali im ka një bahçe, por rreth 3 km larg fshatit. Bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët, kemi qenë duke prerë bar dhe pastruar ullinjt. Rreth orës 10 mbaruam punë. Kur shkova në shtëpi mbarova disa punë dhe fjetëm. Në orën 1 dëgjova breshëri automatiku. Në Fushë-Krujë breshëri automatiku kemi dëgjuar shpesh.
Pashë një dritë makine dhe mu duk se qëlluan drejt shtëpisë sime e u fsheha pas kolonës.
Në mëngjes më mori nipi në telefon, dhe ime shoqë më tha se nuk dinte asgjë. Më shkoi mendja për keq, mendova për vrasje dhe më shkoi mendja tek breshëria e automatikut. Fatmirësisht kishte vetëm dëme materiale, jo në njerëz.
Shkova tek lokali, kam qenë vetë punonjës policie dhe di si procedohet. Dyshoj se është gjuajtur dy herë me automatik. Takova shefin e krimeve. I dhashë informacion se kjo punë mund të jetë bërë me pagesë. Kam bërë hetimet e mia, por me thënën të drejtën nuk dua ta zbuloj kush është. Mendoj se është i përfshirë edhe shefi i krimeve. Mësova më vonë që ai kishte lidhje me patronazhistët që unë mendoj se e kanë porositur ngjarjen, i ka ndihmuar edhe në fushatë. Më morën shenjat e barutit në komisariat. Polici gjyqësor më tha madje që do të më arrestonin.
Autorët kanë goditur me automatik model 56, nga kodra që në vijë ajrore është në largësi 180-200 metra. U qëlluan mbi 120 fishekë. Nuk kanë dalë në rrugë që të kapeshin nga kamerat, kanë afruar nga pylli,” tha ai.
Mondi Voga është një emër i njohur për autoritetet, pasi në vitin 2020 u arrestua për armëmbajtje pa leje, kur iu gjet një pistoletë në automjetin e tij.
Ai lidhet edhe me një ngjarje të dhunshme në Durrës, ku u kap nga kamerat duke dhunuar avokatin Ilia Ilia pranë ambienteve të Prokurorisë. Pas incidentit, Voga u shpall në kërkim, pasi avokati e identifikoi si autorin.
Burime nga hetimi tregojnë se Voga ka qenë më parë shofer i prokurorit Arjan Ndoj, i përfshirë në ngjarje me profil të lartë, duke e bërë hetimin për incidentin në Fushë-Krujë edhe më të ndërlikuar.
Grupet hetimore po mbledhin prova dhe analizojnë materialin filmik të zonës, ndërsa nuk përjashtohet as pista e hakmarrjes apo përplasjes me sfond kriminal.