Në muajin maj, Shqipëria ka vijuar importin e naftës nga një sërë vendesh, por partneri kryesor ka qenë Arabia Saudite, e cila ka mbuluar 40% të totalit të sasisë së importuar. Pas saj renditen Egjipti me 12% dhe Algjeria me 11%.
Vendet që më parë kishin peshë të madhe në treg, si India, Omani, Greqia dhe Italia, kanë ulur ndjeshëm sasinë që eksportojnë drejt Shqipërisë.
Greqia ka rënë nga 14% në vetëm 4%, ndërsa Italia nga 5.5% në 1.2%. Në të njëjtën kohë, Kroacia dhe Rumania janë futur në listën e furnitorëve më aktivë, me përkatësisht 5.5% dhe 3.8% të totalit të importuar.
Por përtej statistikave, ajo që shqetëson qytetarët është çmimi i karburantit, dhe sidomos mënyra se si ai reagon ndaj zhvillimeve globale.
Pas shpërthimeve të mëdha në Teheran dhe ofensivës ajrore të Izraelit mbi Iranin, tregjet ndërkombëtare reaguan me një rritje të menjëhershme prej 8% në çmimin e naftës.
Në vendin tonë, ky nuk është më lajm, është rutinë. Çdo krizë, tension përkthehet menjëherë në rritje çmimi në pikat e karburantit. Por në rastin kur bursa bie? Atëherë gjithçka mbetet e pandryshuar. Çmimet nuk reflektohen, uljet zhduken dhe askush nuk e merr mundimin të shpjegojë.
Bordi i Transparencës, i krijuar më herët si një mekanizëm kontrolli për të shmangur abuzimet dhe për të mbrojtur konsumatorët, ka dështuar. Ai nuk ka garantuar balancë, por është shndërruar në një strukturë që mban çmimet lart edhe kur kushtet e tregut janë për ulje. Në vend të transparencës, ka sjellë një formë të re justifikimi për një sistem të padrejtë.
Nafta në Shqipëri mbetet ndër më të shtrenjtat në Europë. Jo për shkak të kostove të transportit apo vështirësive logjistike, por sepse mbi 60% e çmimit përbëhet nga taksa të shumta: akciza, TVSH, taksë karboni, taksë qarkullimi dhe tarifa të tjera të mbivendosura. Çdo litër që mbushet është në fakt një faturë e fryrë që i paguhet jo tregut, por sistemit.
Ndërsa vendi ndërrohet me furnitorë të rinj dhe bota tronditet nga kriza ndërkombëtare, në Shqipëri këto zhvillime përdoren si pretekst për rritje çmimesh. Jo për të reflektuar apo për të rregulluar sistemin. Dhe ndërsa shtetet e tjera ndërhyjnë për të mbrojtur konsumatorin, këtu shteti shfaqet vetëm për të garantuar fitimet e disa të privilegjuarve – gjithmonë në kurriz të shumicës.