Dy ditë pas ekzekutimit mafioz të ish-policit Santiago Malko në zonën e Porcelanit në Tiranë, detaje të reja kanë dalë në dritë.
Sipas burimeve nga policia, në automjetin e viktimës nuk është gjetur asgjë e paligjshme, por sakaq hetuesit kanë në dorë dy celularët e Malkos që mendohet se fshehin prova thelbësore për identifikimin e ekzekutorëve.
Gjithashtu, të dhëna shumë të rëndësishme janë nxjerrë nga pamjet e sekuestruara nga kamerat e sigurisë së një lavazhi në afërsi të zonës së krimit, nga ku besohet se pas një telefonate, Malko ka frenuar dhe i ka lënë mundësinë ekzekutorëve ta parakalojnë për ta qëlluar më pas për vdekje.
Dinamika e ngjarjes:
Automjeti tip “BMW X5” ka qenë duke lëvizur në rrugën “Xhanfize Keko”, në drejtim të zonës së Freskut. Ai është ndjekur gjatë gjithë rrugës nga një “Benz C Class”, me të cilin lëviznin autorët e vrasjes.
Kur ka qenë para lavazhit, për arsye ende të paqarta për policinë, mjeti i 26-vjeçarit Malko ka frenuar. Në ato momente, atentatorët kanë parakaluar dhe kur kanë qenë paralel kanë qëlluar në drejtim të të riut. Ai ka tentuar të devijojë, duke shtuar shpejtësinë, por nuk ka mundur, pasi ka humbur jetën nga breshëria e plumbave dhe mjeti i tij është përplasur me një mur rrethues.
Dyshohet se në momentin kur “BMW X5” ka ndaluar, 26-vjeçari ka marrë një telefonatë. Ndërkohë, pak minuta pas ngjarjes së rëndë, policia gjeti në fshatin Ferras një mjet të djegur tip “Benz C Class”, i cili iu përkiste autorëve. Ai ishte me targa false dhe i vjedhur në Qarkun e Lezhës një vit më parë.
Burimi: Balkanweb