Pekini ka nisur evakuimin urgjent të qytetarëve të vet nga Lindja e Mesme, në përgjigje të përshkallëzimit të rrezikshëm të konfliktit mes Iranit dhe Izraelit.
Më shumë se 1,600 shtetas kinezë janë evakuuar tashmë nga Irani, ndërsa qindra të tjerë po largohen nga Izraeli, njoftoi të enjten zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun.
Autoritetet kineze janë në kontakt të vazhdueshëm me qeveritë e Iranit, Izraelit, Egjiptit dhe Omanit për të siguruar një proces sa më të sigurt dhe të koordinuar të evakuimit.
Guo bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe u kërkoi veçanërisht autoriteteve izraelite të ndalin operacionet ushtarake për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Tensionet janë rritur ndjeshëm pas një sulmi izraelit ndaj një centrali bërthamor në Iran dhe goditjes së një spitali në territorin izraelit nga raketat iraniane, zhvillime që kanë shqetësuar rëndë diplomacinë ndërkombëtare dhe kanë lënë të pakta shpresat për ulje të menjëhershme të tensioneve.
Ambasada kineze në Teheran i ka këshilluar shtetasit që të largohen përmes kufijve tokësorë, kryesisht nga pikat kufitare të Astaras (drejt Azerbajxhanit) dhe Bajgiranit (drejt Turkmenistanit), duke i paralajmëruar për vonesa në procedurat e imigrimit për shkak të fluksit të madh.
Ndërkohë, në Izrael, evakuimi i shtetasve kinezë do të nisë të premten përmes autobusëve që do t’i çojnë drejt kufirit me Egjiptin në Taba, në jug të vendit.
Pika ndodhet rreth 360 kilometra nga Tel Avivi dhe konsiderohet si rruga më e sigurt në kushtet aktuale.