Një djalë i vogël, vetëm 4 vjeç, ndalet për të luajtur disa hapa larg prindërve të tij që shëtisin buzë detit, në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Një i ri i afrohet, e merr në krahë me rrëmbim dhe largohet në drejtim të kundërt. Në pak sekonda, pushimi familjar kthehet në makth. Pamjet e filmimit amator janë tronditëse. Prindërit e kuptojnë çfarë po ndodh, reagojnë me vrap dhe arrijnë ta ndalojnë. I riu thotë se “e ngatërroi, mendoi se djali kishte humbur”. Por askush nuk e di nëse ky ishte një keqkuptim i tmerrshëm… apo një tentativë që për pak nuk u kthye në tragjedi.
Pak ditë më parë, në një zonë të banuar të Tiranës, një tjetër rast rrëqethës tronditi shoqërinë. Vajza 6-vjeçare e detektives private, Shkënda Lili, bie pre e një tentative rrëmbimi. Një grua e panjohur, rreth të pesëdhjetave, i afrohet të miturës në hyrje të pallatit, i ofron çokollata dhe më pas përpiqet ta tërheqë me forcë. Ndërhyrja e disa fqinjëve shmang më të keqen. Autorja largohet. Policia është ende në kërkim të saj.
Tabloja bëhet edhe më e zymtë, kur në rrjet qarkullon një video eksperimentale e realizuar në Tiranë me lejen e Policisë së Shtetit. Një aktor mashkull simulon rrëmbimin e një vajze të mitur, gjithashtu aktore. Vajza bërtet për ndihmë, ai e tërheq me forcë. Dhjetëra kalimtarë e shohin skenën, asnjëri nuk ndërhyn. Askush nuk afron një hap. Nuk pyet, nuk nxiton, nuk thërret për ndihmë. Disa flasin mes tyre. Disa shikojnë të hutuar. Por asnjë nuk guxon të veprojë.
@homelandalbania Vogëlushja “rrëmbehet” në mes të ditës në Tiranë, si reagojnë kalimtarët? __ ⚠️ Kujdes: Ky është një eksperiment social! Të gjitha skenat janë të simuluara. Fëmija dhe i rrituri janë aktorë dhe janë pjesë e eksperimentit. Asnjë person nuk ka qenë realisht në rrezik. Ky projekt është realizuar me lejen dhe mbështetjen e Policisë së Shtetit, me qëllim edukimin dhe informimin e qytetarëve për të reaguar si duhet në situata të ngjashme. 📞 Në rast se jeni dëshmitarë të një situate të ngjashme reale, kontaktoni menjëherë Policinë e Shtetit në numrin 129. __ Për të ndjekur videon e plotë klikoni në kanalin tonë zyrtar në Youtube të “Homeland Albania” #homelandalbania #schocking #socialexperiment #tirana #albania #kidnapped #experiment ♬ original sound – HomelandAlbania
Dhe ja ku jemi. E vërteta e dhimbshme është kjo: kemi ndalur së ndjeri!
Jo vetëm ndaj fëmijëve. Por ndaj gjithkujt. Ndaj hallit të tjetrit. Ndaj dhimbjes që nuk na përket drejtpërdrejt. Ndaj padrejtësive që nuk na kapin ne vetë për krahu. Edhe kur dikush bërtet në rrugë për ndihmë, nuk afrohemi. Edhe kur dikush proteston për drejtësi, nuk bashkohemi. Edhe kur një qytetar, një grua, një nënë, një fëmijë është në rrezik, nuk guxojmë të ndërhyjmë.
Kemi krijuar një iluzion sigurie në vetvete, ku gjithçka jashtë vetes është “punë e tjetrit”. Nuk reagojmë se “s’ka ç’na duhet ne”. Nuk flasim se “s’na përket”. Jemi shkëputur nga ideja më e thjeshtë: që për të qenë njerëzor, nuk të duhet asnjë ftesë zyrtare. Të duhet vetëm zemra.
Fatkeqësisht, kemi mbërritur në një pikë ku askush nuk e ndjen më urgjencën morale për të bërë diçka. Për të vepruar. Për të marrë përgjegjësi jo ligjore, por njerëzore. Kjo është më e rrezikshme se çdo ligj i munguar. Sepse, në fund të fundit, ligjet nuk shpëtojnë jetë, reagimi i menjëhershëm i njerëzve po.
Sepse jo, nuk është vetëm detyra e policisë të ndalojë një rrëmbyes. Është detyra e parë e qytetarit që ndodhet pranë. Është refleksi i një shoqërie të shëndetshme që reagon menjëherë kur sheh rrezik. Dhe nëse ky refleks mungon, atëherë ne nuk kemi më shpresë për drejtësi, për siguri, për dinjitet.
Nëse nesër është fëmija yt, a do të duash që të tjerët të mbyllin sytë?
Ndaj, nuk mund të presim më që tragjeditë të na trokasin në derë që të kujtohemi për njerëzinë. Duhet të ndërgjegjësohemi. Të ngrejmë zërin. Të guxojmë. Të veprojmë. Të hapim zemrën. Të bashkohemi. Nuk është turp të ndërhysh. Turp është të shohësh dhe të mos bësh asgjë.
Nëse shihni një situatë të dyshimtë, nëse dikush sillet në mënyrë të pazakontë me një fëmijë, nëse një i mitur duket i frikësuar, i vetëm, i tërhequr apo po thërret për ndihmë, mos prisni që ta bëjë dikush tjetër.
📞 Telefononi menjëherë Policinë e Shtetit në numrin 129.
Telefonata jote mund të jetë gjithçka që bën dallimin mes frikës dhe shpëtimit. Një shoqëri e vërtetë nuk ndërtohet me heshtje, por me zemër, me reagim, me guximin për të thënë: po, është edhe puna ime!