Të paktën 406 persona kanë humbur jetën dhe mbi 650 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në territorin iranian, sipas të dhënave të raportuara nga një organizatë për të drejtat e njeriut me seli në Uashington.
Shifrat u cituan nga agjencia Associated Press dhe përfshijnë viktima nga disa rajone të Iranit.
Pavarësisht bilancit të rëndë, autoritetet zyrtare iraniane nuk kanë bërë ende publike një shifër zyrtare për humbjet e jetëve apo dëmet e shkaktuara.
Mediat ndërkombëtare, raportojnë se situata mbetet kritike dhe në zhvillim.
Në të njëjtën kohë, tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar ndjeshëm. Një ditë më parë, Irani kreu një kundërsulm me raketa ndaj disa qyteteve izraelite, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur, si dhe raporte për persona të zhdukur.
Ky përshkallëzim erdhi pas operacionit izraelit të koduar “Ngritja e Luanit”, i nisur tre ditë më parë brenda territorit iranian.
Sulmet kishin në shënjestër figura të larta ushtarake, shkencëtarë të programit bërthamor dhe infrastrukturë strategjike, përfshirë centralet bërthamore.
Sipas Tel Avivit, synimi i këtij operacioni ishte frenimi i ambicieve bërthamore të Teheranit, të cilat, sipas Izraelit, përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Lindjes së Mesme.